Trendy

Nataliteti në rënie në Maqedoni, mjekët paralajmërojnë krizë shëndetësore riprodhuese

Para 1 orë

Rënia e natalitetit në Maqedoni po bëhet alarmante. Nëse vite më parë numri i lindjeve ishte dukshëm më i lartë, gjatë vitit të kaluar në vend janë regjistruar vetëm mbi 15 mijë foshnja të porsalindura. Sipas mjekëve, problemi nuk kufizohet vetëm te numri në rënie i lindjeve, por lidhet ngushtë edhe me gjendjen e shëndetit riprodhues të grave. Ata theksojnë se nevojiten masa konkrete dhe politika afatgjata për përmirësimin e kujdesit shëndetësor familjar, si dhe rritjen e vetëdijes dhe edukimit shëndetësor në mesin e qytetarëve.

“Nëse kthehemi një dekadë më parë, kur numri i të porsalindurve ishte rreth 23 mijë, mund të shohim një rënie të konsiderueshme prej 30 për qind gjatë këtyre 10 viteve. Ky është alarm jo vetëm si shifër dhe statistikë, por edhe si tregues që duhet të kemi kujdes më të madh ndaj grave dhe mbështetje të plotë për shëndetin riprodhues dhe familjar”, deklaroi Elena Xhikova, gjinekologe.

Gjinekologët vërejnë se shumë gra vonohen në kontrollet mjekësore, jo sepse nuk kanë simptoma, por për shkak të hezitimit dhe mungesës së kulturës për t’u kontrolluar me kohë.

“Ne gjatë gjithë kohës përpiqemi që rruga e grave, p.sh për diagnozën e kancerit të çfarëdo lloji, të jetë në një korsi më të shpejtë, që qasja e pacientëve në çfarëdo gjendje të jetë shumë e lehtë dhe të mund të arrijnë të specialist apo subspecialist. Është e vërtet që në disa vende të Maqedonisë nuk ka mjaftueshëm gjinekolog amë, por sistemi ynë lë hapësirë që ju të mund të jetoni në Ohër, por të keni gjinekolog amë në një qytet tjetër”, tha një tjetër gjinekolog, Gligor Tofoski.

“Është për të ardhur keq fakti se një pjesë e këtyre rasteve mund të ishin zbuluar shumë më herët dhe të trajtoheshin vetëm më një kontroll të rregullt gjinekologjik. Është veçanërisht e rëndësishme të arrijmë të vajzat e reja dhe të gratë shtatzëna…Të punojmë që kontrollet e rregullta gjinekologjike të bëhet shprehi, dhe jo vizitë vetëm kur ka nevojë”, theksoi Ilir Shabani, gjinekolog.

Gjithashtu shqetësues mbetet fakti se vaksinimi kundër HPV-së në vend është nën 70 për qind, nivel i pamjaftueshëm krahasuar me shtetet evropiane, ku vaksinimi arrin deri në 90 për qind./Alsat

Trending