Prodhimi i naftës nga vendet anëtare të OPEC-ut vazhdoi të bjerë edhe gjatë muajit prill, duke regjistruar një rënie totale mbi 30% që prej nisjes së konfliktit me Iranin në fund të muajit shkurt, sipas raportit më të fundit mujor të publikuar nga organizata.
Në të njëjtën kohë, OPEC uli parashikimin për rritjen e kërkesës globale për naftë në vitin 2026, duke vlerësuar tashmë se ajo do të arrijë rreth 1.2 milionë fuçi në ditë, krahasuar me projeksionin e mëparshëm prej rreth 1.4 milionë fuçi në ditë.
Organizata e lidh këtë rishikim kryesisht me presionin që po përjeton tregu ndërkombëtar për shkak të rënies drastike të flukseve të naftës nga Gjiri Persik, pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Sipas të dhënave të OPEC-ut, prodhimi i organizatës ra me 1.7 milionë fuçi në ditë gjatë prillit, pas rënies edhe më të madhe prej 7.9 milionë fuçish në ditë që ishte regjistruar në mars.
Në total, humbjet e prodhimit nga vendet e kartelit kanë kaluar tashmë 9.7 milionë fuçi në ditë që prej nisjes së konfliktit, ekuivalente me më shumë se 30% të prodhimit total të OPEC-ut.
Paralelisht, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), në raportin e saj të publikuar po të mërkurën, vlerësoi se humbjet totale të furnizimit nga prodhuesit e Gjirit kanë tejkaluar tashmë 1 miliard fuçi.
Sipas IEA-së, më shumë se 14 milionë fuçi naftë në ditë vazhdojnë të mbeten jashtë tregut ndërkombëtar për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, organizata thekson se diferenca reale mes ofertës dhe kërkesës mbetet më e kufizuar nga sa pritej, pasi tregu global i naftës hyri në vitin 2026 me furnizim të tepërt.
Sipas raportit, si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët po ndërmarrin masa emergjente për të zbutur ndikimin e krizës energjetike.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ridrejtuar tashmë një pjesë të eksporteve të tyre drejt porteve alternative që shmangin Ngushticën e Hormuzit, ndërsa prodhues jashtë Lindjes së Mesme — kryesisht Shtetet e Bashkuara — kanë rritur eksportet në nivele rekord për të kompensuar mungesën në treg.
Një rol të rëndësishëm në stabilizimin e tregut po luajnë gjithashtu rezervat shtetërore dhe komerciale të naftës.
Megjithatë, IEA paralajmëron se rezervat globale po bien me ritme të paprecedenta, ndërsa humbjet e furnizimit nga mbyllja e Hormuzit vazhdojnë të shtohen.
Sipas të dhënave të organizatës, rezervat globale ranë me 250 milionë fuçi vetëm gjatë muajve mars dhe prill, ose rreth 4 milionë fuçi në ditë.
“Ndërsa rezervat globale të naftës po bien tashmë me ritme rekord, është shumë e mundur që tregu të përballet me një periudhë të re luhatjesh intensive të çmimeve përpara kulmit të kërkesës verore”, paralajmëron IEA në raportin e saj.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më strategjike energjetike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës dhe gazit nga vendet e Gjirit Persik.
Përshkallëzimi i tensioneve mes Iranit dhe vendeve perëndimore ka rritur shqetësimet ndërkombëtare për sigurinë energjetike globale, ndërsa tregjet vazhdojnë të reagojnë me luhatje të forta të çmimeve dhe frikë për mungesa të mundshme furnizimi në muajt e ardhshëm.










