Trendy

Pentagoni kërkon mbi 10 mijë raketa të reja pas luftës me Iranin

Para 60 minuta

Pentagoni po planifikon të blejë mbi 10 mijë raketa lundruese me kosto të ulët gjatë tre viteve të ardhshme, në një përpjekje për të zgjeruar dhe diversifikuar rezervat ushtarake amerikane pas përdorimit intensiv të armëve në konfliktin me Iranin.

Sipas Wall Street Journal, programi i ri – i quajtur Low-Cost Containerised Missiles – synon prodhimin e raketave që kushtojnë vetëm disa qindra mijëra dollarë secila, ndjeshëm më lirë sesa sistemet tradicionale të avancuara të goditjes me rreze të gjatë.

Raketat e reja nuk do të zëvendësojnë arsenalin ekzistues amerikan, por do ta plotësojnë atë, duke funksionuar paralelisht me sisteme si Tomahawk, një prej armëve më të përdorura të ushtrisë amerikane.

Sipas raportimit, Departamenti i Mbrojtjes ka dhënë kontrata zhvillimi dhe prodhimi për disa kompani amerikane, përfshirë CoAspire, Zone 5 Technologies, Leidos dhe Anduril Industries.

Plani vjen në një moment kur ushtria amerikane po përballet me konsumim të konsiderueshëm të rezervave strategjike.

Sipas raportimeve të mëparshme të Wall Street Journal, gjatë konfliktit me Iranin, SHBA përdori më shumë se 1 mijë raketa Tomahawk me rreze të gjatë, si dhe mes 1 mijë e 500 dhe 2 mijë raketa interceptuese kritike nga sistemet e mbrojtjes ajrore si THAAD dhe MIM-104 Patriot.

Sipas vlerësimeve, rikthimi i plotë i këtyre rezervave mund të zgjasë deri në gjashtë vite, duke ngritur shqetësime në Pentagon mbi gatishmërinë amerikane për përballje të mundshme të ardhshme, veçanërisht në Azi dhe Lindjen e Mesme.

Trending