Pas përplasjeve të forta gjatë protestës kombëtare në Tiranë, Policia e Shtetit ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke dënuar aktet e dhunës ndaj efektivëve dhe institucioneve. Policia u bën thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar, ndërsa paralajmëron se veprimet që cenojnë rendin dhe sigurinë publike do të trajtohen sipas ligjit.
Policia e Shtetit ka reaguar pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh gjatë protestës së kësaj të shtune në Tiranë, ku janë regjistruar ndërhyrje me gaz lotsjellës, ujë me presion, hedhje gurësh dhe fishekzjarrësh.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit shprehet se efektivët janë përballur vazhdimisht me veprime të dhunshme, të cilat, sipas saj, kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, por edhe sigurinë e qytetarëve.
“Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve”, shprehet Policia e Shtetit.
Në vijim të reagimit, policia u drejtohet pjesëmarrësve në protestë, duke u kërkuar të distancohen nga personat që, sipas saj, po sulmojnë efektivët, institucionet dhe pronën publike e private.
“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Policia thekson gjithashtu se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, por nënvizon se aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës nuk mund të justifikohen në kuadër të ushtrimit të kësaj të drejte.
“E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj. Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin”, paralajmëron Policia e Shtetit.
Në përfundim të reagimit, institucioni deklaron se efektivët do të vijojnë angazhimin në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, shprehet Policia e Shtetit.
Reagimi vjen në një kohë kur protesta ka kaluar nëpër disa zona të kryeqytetit, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Skënderbej” deri te zona e 9-katësheve, dalja e Rrugës së Durrësit dhe rruga “Mine Peza”.
Gjatë këtyre zhvillimeve janë regjistruar përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa policia ka ndërhyrë disa herë për shpërndarjen e turmës.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












