Partia opozitare maqedonase Levica ka reaguar ashpër lidhur me vendosjen e një busti në lagjen Drenovec të Tetovës, duke e cilësuar atë si veprim të paligjshëm dhe provokues.
Në kumtesën e saj, “Levica” pretendon se busti i vendosur i përket një pjesëtari të UÇK-së dhe se është ngritur pa procedurat dhe lejet përkatëse institucionale. Partia kërkon sqarime nga autoritetet lokale dhe inspektoratet përkatëse nëse, sipas tyre, është respektuar ligji për monumentet memoriale dhe ndërtimet.
Në deklaratë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, akuzohet nga “Levica” se me veprime të tilla po provokon tensione dhe po lejon, siç thonë ata, uzurpim të hapësirës publike.
“Levica” ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale, duke bërë thirrje që autoritetet kompetente të verifikojnë ligjshmërinë e vendosjes së bustit dhe, nëse konstatohet shkelje, të urdhërojnë largimin e tij.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Komuna e Tetovës lidhur me këto akuza.










