Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas raportimeve për një incident të ndodhur sot në një kafeteri në qendër të qytetit, ku u përfshinë disa zyrtarë dhe aktivistë politikë.
Në një deklaratë publike, Lushtaku ka akuzuar pushtetin qendror dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se përmes “mekanizmave të tij” është tentuar të krijohet një situatë që, sipas tij, kishte për qëllim sulmin ndaj tij në Skenderaj.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj,” ka deklaruar Lushtaku.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe etiketimet ndaj tij, duke thënë se qytetarët nuk i tolerojnë më ato që ai i quajti ofendime si “Sami Serbia”, duke shtuar se reagimi i qytetarëve është i kuptueshëm në këtë kontekst.
Deri tani nuk ka një version zyrtar të detajuar nga institucionet e rendit lidhur me pretendimet e palëve për incidentin në Skenderaj.










