Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, informoi sot se Komisioni i huaj që ka shqyrtuar rastet e dyshimta të operacioneve të panevojshme ose të udhëzimeve për operime, ka konstatuar gjetje të dyshimta në nëntë nga gjithsej 13 lëndë të analizuara.
Sipas Aliut, bëhet fjalë për raste që lidhen me ndërhyrje kardiokirurgjike, për të cilat ekzistojnë dyshime për nevojën reale të kryerjes së operacioneve ose për mënyrën e referimit të pacientëve për trajtim kirurgjik.
“Nga gjithsej 13 lëndë, të analizuara në lidhje me dyshimet për operacione të kryera pa nevojë, ose për udhëzime të panevojshme për operacione. Komision i huaj, për 4 pacientë konstatoi se, citoj: Trajtimi i ofruar në tërësi, ka qenë mjekësisht i përshtatshëm, në kohë dhe në përputhje me standardet e pranuara të praktikës klinike në botë. Për 9 pacientë të tjerë, sipas ekspertëve të huaj, po citoj…thotë kështu: Dokumentacioni tregon rezultate të dyshimta gjatë evaluimit diagnostik, psh: mospërputhje ndërmjet rezultateve angiografike nga koronokrafia dhe raportit të shkruar, pas së cilës, ka pasur indikacion të papërshtatshëm për procedura, qoftë endokrino vaskulare, apo kirurgjikale. Lidhur me këto raste, Komisioni vlerëson se, citoj: Disa aspekte të trajtimit dhe të menaxhimit me pacientin, kanë qenë nën standardin e pritur profesional dhe mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin klinik të tyre”, tha mes tjerash Aliu.
Ai theksoi se analizat janë realizuar nga ekspertë të huaj me qëllim të sigurimit të transparencës dhe verifikimit profesional të procedurave të kryera në sistemin shëndetësor.
Ministri paralajmëroi se institucionet kompetente do të vazhdojnë me procedurat dhe shqyrtimin e rasteve, ndërsa opinioni do të informohet për të gjitha gjetjet dhe masat që do të ndërmerren.










