Trendy

Tronditet Gjermania/ Pediatri akuzohet për 130 raste abuzimi séksual ndaj të miturve

Para 1 orë

Një skandal i rëndë ka tronditur Gjermaninë, pasi Zyra e Prokurorit në Potsdam ka ngritur akuza ndaj një pediatri 45-vjeçar nga Brandenburg për 130 raste të dyshuara abuzimi seksual dhe përdhunimi të të miturve.

Sipas autoriteteve gjermane, mjeku dyshohet se ka kryer shumicën e abuzimeve gjatë ushtrimit të detyrës së tij si pediatër, përgjatë një periudhe rreth 12-vjeçare, nga dhjetori 2013 deri në nëntor 2025.

Pediatri ndodhet në paraburgim që prej nëntorit të vitit të kaluar, pas denoncimit të bërë nga nëna e një fëmije, e cila ngriti akuza të rënda ndaj tij. Në janar të këtij viti u bë e ditur se ai kishte abuzuar seksualisht me një të mitur gjatë kohës që punonte në një spital në Rathenow, në perëndim të Berlinit.

Pas denoncimit, policia zhvilloi kontrolle të shumta dhe sekuestroi pajisje elektronike për ruajtjen e të dhënave, ndërsa prokuroria nisi një hetim të gjerë për identifikimin e viktimave të tjera të mundshme.

Autoritetet deklaruan se rreziku i përsëritjes së krimeve ishte një nga arsyet kryesore për mbajtjen e mjekut në paraburgim.

Ndërkohë, grupi spitalor Havelland Clinics ka nisur një hetim të brendshëm dhe ka paralajmëruar rishikim të procedurave të sigurisë në institucionet e tij. Drejtuesit e klinikës pranuan se gjatë një vizite mjekësore ishte shkelur parimi i “pranisë së dyfishtë”, i cili kërkon praninë e dy personave gjatë ekzaminimeve të fëmijëve.

“Akuzat dëmtojnë besimin e pacientëve dhe familjeve të tyre”, deklaroi drejtori mjekësor, Mike Lehsnau.

Trending