Ai është vetëm njëri nga qindra qytetarë të cilët janë lodhur nga votimi i shpeshtë, pasi zgjedhjet e 7 qershorit do të shënojnë procesin e tretë zgjedhor brenda më pak se dy vitesh.
Edhe pas këtyre zgjedhjeve, nuk dihet nëse vendi do të ketë institucione të qëndrueshme, duke e vendosur qytetarin në një pozicion të përsëritur zgjedhjeje, por jo domosdoshmërisht me ndikim real.
Në vend të optimizmit demokratik, po artikulohet gjithnjë e më shpesh ndjenja e zhgënjimit dhe e distancimit nga procesi.
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë për Albanian Post se kjo situatë mund të ketë pasoja më të thella sesa thjesht lodhje elektorale.
Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, sqaroi për Albanian Post se demokracia është një sistem që mbështetet mbi dy shtylla thelbësore: vlerat demokratike perëndimore dhe mirëbesimin ndërmjet qytetarit dhe institucioneve.
“Nëse këto dy baza dëmtohen, atëherë realisht nuk mund të themi më se kemi një sistem të mirë demokratik, por një sistem hibrid që pretendon se kemi demokraci”, deklaroi Arifi për Albanian Post.
Ai potencoi se zgjedhjet e shpeshta dhe rezultati i tyre politik kanë ndikuar në dobësimin e këtyre shtyllave, duke krijuar një klimë mosbesimi që reflektohet drejtpërdrejt në raportin qytetar–institucion.
“Duhet pasur shumë kujdes që të mos thyhet mirëbesimi në demokracinë më të re të Evropës, siç është Republika e Kosovës, sepse kjo dëmton procese të shumta brenda sistemit. Prandaj, vlerat janë dëmtuar edhe për shkak të përmbajtjes së personave apo deputetëve që përfaqësojnë qytetarin e Kosovës. Pra, ata nuk janë të denjë sa është mesatarja e inteligjencës së një kosovari”.
Në këtë kontekst, sipas Arifit, qytetarët nuk janë domosdoshmërisht të lodhur nga vetë demokracia, por të zhgënjyer nga mënyra se si ajo po praktikohet.
“Votuesi nuk është i lodhur, por i dëshpëruar nga ripërsëritja e zgjedhjeve pa rezultat konkret. Listat nuk përgatiten me debat të mirëfilltë politik brenda subjekteve, por, figurativisht, mund të thuhet se ‘gatuhen si ushqim i shpejtë’, dhe pastaj rezultati është ai që është, për shkak edhe të gjendjes në të cilën ekzistojnë”.
“Kështu, mendoj se qytetarët janë lodhur për shkak të jo seriozitetit të partive politike dhe, për fat të keq, ende nuk kemi në skenë një parti të re që do të mund ta balanconte raportin mes qytetarit dhe partive politike, të cilat vazhdojnë me të njëjtin avaz”.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Albinot Maloku thotë për Albanian Post se sistemi parlamentar i Kosovës kërkon një kuptim më të qartë të përgjegjësive politike pas zgjedhjeve.
“Humbja e besimit në votë dhe në procesin e votimit nga qytetarët është, padyshim, e dhimbshme, por edhe kërcënuese për zhvillimin e demokracisë. Mirëpo, duhet t’u sqarohet qytetarëve se sistemi politik i Kosovës është parlamentar dhe se kujdesin kryesor duhet ta tregojnë ndaj subjektit politik që votojnë, e posaçërisht ndaj kandidatit që zgjedhin të bëhet deputet”, shprehet Maloku.
Sipas tij, pesha e votës së qytetarit ndryshon pas ditës së zgjedhjeve, kur përgjegjësia kalon te deputetët dhe subjektet politike.
“Pra, deputetët vendosin për rrjedhat e ngjarjeve politike. Pikërisht për këtë, qytetarët duhet të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e tyre. Vota e qytetarëve ka peshën e vet në ditën e zgjedhjeve, ndërsa më pas përgjegjësinë e marrin subjektet politike dhe, posaçërisht, kandidati që është bërë deputet”.
Maloku ngre gjithashtu një shqetësim tjetër social që ndikon në raportin qytetar–institucion.
“Ekziston një problem tjetër, ku besimi i qytetarëve dhe ndërveprimi i tyre me institucionet shpesh nuk ndërtohet mbi vetë institucionin, por mbi lidhje nepotike. Kjo është edhe më e rëndë për një shoqëri si e jona”.
Pavarësisht lodhjes së perceptuar nga proceset e shpeshta zgjedhore, ai potencoi se kjo nuk duhet të shndërrohet në apati politike.
“Lodhja nga proceset e shpeshta zgjedhore ekziston gjithandej, por demokracia e pranon shpeshtësinë e votimeve si pjesë të natyrshme të saj. Prandaj, lodhja duhet të orientohet drejt zgjedhjes së duhur, e jo drejt largimit nga procesi demokratik”.
Më 9 shkurt të 2025-ës, vendi mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare, në të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me mbi 42% të votave.
Megjithatë, pavarësisht këtij rezultati, partia e udhëhequr nga Albin Kurti nuk arriti të formojë institucionet e reja të vendit. Procesi i konstituimit të pushtetit u zvarrit për muaj të tërë, duke e lënë Kosovën pothuajse një vit pa institucione plotësisht funksionale.
Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e nëntë u konstitua me shumë vështirësi për shkak të përplasjeve politike dhe kalkulimeve elektorale. Legjislatura u shpërnda pasi nuk u siguruan votat e mjaftueshme për zgjedhjen e qeverisë, fillimisht me kandidatin për kryeministër Albin Kurti dhe më pas me kandidatin tjetër, Glauk Konjufca.
Në këtë situatë, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Data e zgjedhjeve, sipas partive opozitare, ishte caktuar në një kohë që i shërbente më së shumti partisë në pushtet.










