Trendy

Zbulohet për herë të parë, si Arabia Saudite zhvilloi operacion të fshehtë ndaj Iranit!

Para 1 orë

Arabia Saudite ka kryer sulme të fshehta ndaj Iranit, si përgjigje ndaj sulmeve që Teherani kishte ndërmarrë kundër mbretërisë gjatë luftës së fundit në Lindjen e Mesme, raportoi Reuters, duke cituar dy zyrtarë perëndimorë dhe dy zyrtarë iranianë.

Sipas burimeve, sulmet saudite u kryen nga Forcat Ajrore Saudite në fund të marsit dhe përbëjnë rastin e parë të njohur kur Arabia Saudite ndërmerr drejtpërdrejt veprime ushtarake në territorin iranian. Reuters nuk arriti të konfirmojë objektivat specifikë të goditura.

Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme saudite nuk konfirmoi drejtpërdrejt operacionet ajrore, por riafirmoi qëndrimin e Riadit për “ulje tensionesh, vetëpërmbajtje dhe stabilitet rajonal”. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme iraniane nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Lufta 10-javore në rajon nisi pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Më pas, Irani goditi shtetet e Gjirit me raketa dhe dronë, duke synuar baza ushtarake amerikane, aeroporte civile dhe infrastrukturë energjetike. Konflikti ndikoi edhe në tregtinë globale pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Reuters raportoi gjithashtu se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer operacione ushtarake kundër Iranit, ndërsa Arabia Saudite ka ndjekur paralelisht edhe një kanal diplomatik me Teheranin për të shmangur një përshkallëzim më të gjerë. Burimet thanë se Riadi e kishte njoftuar Iranin për sulmet dhe më pas të dyja palët arritën një mirëkuptim joformal për uljen e tensioneve.

Ali Vaez, drejtues i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se zhvillimet tregojnë një “njohje pragmatike” nga të dyja palët se një përshkallëzim i pakontrolluar do të kishte “kosto të papranueshme”.

Sipas Reuters, deeskalimi joformal nisi rreth një javë përpara armëpushimit të 7 prillit midis Uashingtonit dhe Teheranit. Një zyrtar iranian tha se marrëveshja kishte për qëllim “ndalimin e armiqësive, mbrojtjen e interesave të ndërsjella dhe parandalimin e tensioneve të mëtejshme”.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite kanë qenë prej dekadash të tensionuara, me të dy vendet që kanë mbështetur kampe rivale në konfliktet rajonale. Megjithatë, në vitin 2023, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kina çoi në rivendosjen e lidhjeve diplomatike dhe në një armëpushim në Jemen, që mbetet ende në fuqi.

Trending