Shkruan Jusuf Abduli– Kryetar i këshillit komunal – Tetovë
Si Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, e kam për detyrë të mbroj dinjitetin e institucionit që udhëheq.
Bllokimi i seancave me zhurmë e tensione artificiale nuk ka asnjë lidhje me etikën e vendimmarrjes. Britmat nuk janë argument. Kjo sjellje nuk përkon fare me etikën që duhet ta ketë një këshilltar, sepse detyra e secilit prej nesh është të japë argumentin, të paraqesë vërejtjen dhe, mbi të gjitha, të ofrojë zgjidhjen përmes një debati publik të hapur e të civilizuar.
Pasi bllokuan punimet dhe kërkuan llogaridhënie për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e objektit të ri të Komunës dhe Stacionit të Zjarrfikësve përmes PPP-së, ne u përgjigjëm duke organizuar pikërisht atë që kërkohej nga vetë ata: hapësirën për debat publik.
Ne e përgatitëm tryezën e dialogut sepse vlerësojmë që vendimet e rëndësishme dhe sugjerimet më të mira sillen në tryezë, përmes dialogut dhe argumenteve.
Megjithatë, mospjesëmarrja dhe bojkoti i opozitës në këtë debat publik vërteton se qëllimi nuk ka qenë asnjëherë interesi qytetar apo shqyrtimi i fakteve. Kjo braktisje dëshmon se kauza u përdor thjesht si instrument për konsum politik dhe protagonizëm mediatik.
Tetova nuk ka kohë për të humbur me politikë pa substancë që i ikën debatit publik në momentin që ai organizohet.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












