Mësuesit, punonjësit shëndetësorë dhe specialistët e teknologjisë informative janë ndër profesionistët më të kërkuar në Evropë. Kështu thuhet në një analizë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), të cilën e transmeton “Euronews Business”, përcjell tetova1
Edhe pse presioni në tregun e punës është zbutur në krahasim me periudhën pas pandemisë, punëdhënësit vazhdojnë të përballen me vështirësi në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht për profesionet që kërkojnë njohuri dhe aftësi të specializuara.
Sipas analizës, në vendet e Bashkimit Evropian të përfshira në studim, më së vështiri plotësohen vendet e punës në sektorin e arsimit, pasuar nga shëndetësia dhe teknologjia informative e komunikimit.
Nga 27 vendet evropiane të analizuara, në 23 prej tyre ka mungesë të punonjësve shëndetësorë, në 21 mungojnë mësuesit, ndërsa në 18 vende ka mungesë të specialistëve të IT-së.
Lexo edheMPB: Zgjidhet problemi me sigurimin shëndetësor të punonjësve tanëMungesa e personelit shëndetësor lidhet me plakjen e popullsisë, kohëzgjatjen e studimeve, kushtet e vështira të punës dhe varësinë nga punëtorët e huaj.
Ndërkaq, në sektorin e arsimit, sfidat kryesore janë rritja e detyrimeve administrative, digjitalizimi i mësimdhënies dhe përgjegjësitë gjithnjë e më të mëdha për mirëqenien e nxënësve.
Megjithatë, kërkesa për punëtorë ndryshon nga një shtet në tjetrin. Në Norvegji, më së vështiri gjenden punëtorët për punë fizike, ndërsa në Spanjë ka mungesë të punonjësve ndihmës në përgatitjen e ushqimit.
Në anën tjetër, Austria, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar bëjnë pjesë në vendet ku OECD-ja evidenton një tepricë relative të specialistëve të teknologjisë informative.
Agjencia Evropiane e Punësimit thekson se mungesa e punëtorëve në një shtet mund të bashkëjetojë me tepricën e fuqisë punëtore në një shtet tjetër. Megjithatë, pengesë për lidhjen e këtyre tregjeve mbeten barrierat gjuhësore, procedurat administrative dhe vështirësitë në njohjen e kualifikimeve profesionale.
Analiza nënvizon gjithashtu rëndësinë e rikualifikimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të aftësive profesionale. Ndërkohë, punëdhënësit duhet të investojnë më shumë në përmirësimin e kushteve të punës dhe në mbajtjen e punonjësve ekzistues./tetova1.mk
Komentet
Bëhu i pari që komenton.











