Uashingtoni ka vendosur të mbajë në fuqi regjimin e rreptë të sanksioneve ndaj sektorit energjetik të Rusisë, por ka miratuar një përjashtim të kufizuar katërmujor për kompaninë energjetike hungareze MOL, duke i mundësuar asaj të vazhdojë blerjen e naftës ruse përmes tubacionit “Druzhba” deri më 19 mars 2027, përcjell INA.
Vendimi i Zyrës Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), i konfirmuar të martën nga MOL pak ditë para skadimit të licencës së mëparshme më 21 nëntor, nënvizon se presioni financiar ndaj Moskës mbetet i pandryshuar, ndërsa Budapestit i jepet vetëm një afat i përkohshëm për të shmangur tronditjet e furnizimit.
Zyrtarët amerikanë bëjnë të qartë se sanksionet kundër gjigantëve energjetikë rusë nuk po hiqen. Përjashtimi mbulon vetëm transaksionet e domosdoshme të kompanisë hungareze me “Lukoil” dhe “Litasco” për përmbushjen e kontratave tashmë ekzistuese të naftës së papërpunuar.
Rregullat e kufizimit mbeten tejet strikte: në këto operacione ndalohet rreptësisht përfshirja e shtetasve apo kompanive amerikane, si dhe përdorimi i sistemit financiar të SHBA-së. Paralelisht, Uashingtoni zgjati edhe regjimin e veçantë për kompaninë hungareze MVM, lidhur me pagesat për gazin natyror rus që kalon përmes “Rrjedhës Turke”.
Si një shtet pa dalje në det, Hungaria varet ndjeshëm nga tubacionet tokësore për furnizimin e rafinerive të saj. Kjo ka shtyrë Uashingtonin që, krahas ruajtjes së sanksioneve ndaj Rusisë, të lejojë një korridor të kontrolluar për të mos shkaktuar krizë energjetike në Evropën Qendrore, ku përmes “Druzhba”-s furnizohet edhe Sllovakia, përcjell INA.
Për Maqedoninë e Veriut, e cila varet tërësisht nga importi i derivateve të naftës dhe gazit, ky zhvillim ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit rajonal. Megjithatë, kjo nuk sjell automatikisht ulje të çmimeve të karburanteve në tregun vendas, të cilat diktohen nga bursat ndërkombëtare, kursi valutor dhe tatimet.
Pas 19 marsit 2027, sanksionet do të zbatohen sërish pa asnjë përjashtim, përveç nëse Hungaria siguron një miratim të ri nga Uashingtoni.(INA)
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












