Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Kurti: Kosova është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë

Kurti: Kosova është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Republika e Kosovës është shtet i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare e etnike që përbëjnë qytetarinë e saj, duke theksuar se, ndonëse është shtet më vete, Kosova nuk është e pavarur ndaj kombit shqiptar.

Këto deklarata Kurti i bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti i ka cilësuar ato si vëllazërore dhe strategjike, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.

“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka shtuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar gjithsej 190 marrëveshje, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme, si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, shëndetësia dhe siguria.

Në fjalimin e tij, kryeministri ka ritheksuar edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

Ai ka theksuar se Kosova, ndonëse nuk është anëtare e NATO-s, tash e katër vjet radhazi ka përmbushur kriterin e investimeve në siguri në nivelin e 2 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme