Opens in a new tab
Trendy
Tetova1Tetova1
Lajmi

Ambasadori Denion Meidani mbyll misionin diplomatik në Maqedoni, me dorë në zemër mban FJALIMIN emocionues: Shqipërisë iu rrittë ndera!

Ambasadori Denion Meidani mbyll misionin diplomatik në Maqedoni, me dorë në zemër mban FJALIMIN emocionues: Shqipërisë iu rrittë ndera!

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup në cilësinë e ambasadorit, gjatë pritjes solemne të organizuar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Gjatë fjalimit të tij që u shoqërua me plot emocione, Meidani u shpreh se mandati i tij diplomatik në Maqedoninë e Veriut po përfundon, duke ndarë me të pranishmit reflektimet për përvojën e tij gjatë qëndrimit në Shkup.

 

Ai e nisi fjalimin duke rikujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, duke vlerësuar sakrificën e 40 burrave që, në rrethana të vështira historike, vunë themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

 

Po ashtu, ambasadori theksoi se Shqipëria nuk përfaqësohet vetëm nga kufijtë e saj gjeografikë, por nga historia, kultura, gjuha dhe kontributi i shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në mbarë botën.

 

Gjatë fjalimit të tij, duke qëndruar stoik teksa mbante dorën mbi zemër, ambasadori ceku dhe figura të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, si Skënderbeu, Nënë Tereza, Çajupi, Faik Konica, Ismail Kadare, Vaçe Zela, si dhe personalitete bashkëkohore që kanë promovuar emrin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

 

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke folur për përvojën e tij diplomatike, ambasadori falënderoi institucionet e Maqedonisë së Veriut, kolegët diplomatë dhe bashkëpunëtorët, por mbi të gjitha qytetarët dhe bashkatdhetarët që takoi gjatë mandatit.

 

Fjalimi i plotë i Meidanit i siguruar nga Tetova Sot:

 

Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Shkup

 

I nderuar Zëvendëskryeministër, z. Sali, të nderuar ministra, të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, të nderuar kolegë ambasadorë, të dashur miq nga Presheva, të dashur bashkatdhetarë, zonja dhe zotërinj,

 

Kam folur disa herë nga kjo foltore në Ditën e Flamurit. Sot flas për herë të fundit si Ambasador i Shqipërisë në Shkup. Fjalët e fundit janë gjithmonë më të vështirat. Prandaj sot do t’i them me zemër, ashtu siç më vijnë.

 

Njëqind e katërmbëdhjetë vjet më parë, në Vlorë, dyzet burra nga të gjitha trojet shqiptare vunë emrin poshtë një dokumenti prej pak rreshtash. Shqipëria, shkruan ata, do të ishte „e lirë dhe e mosvarme”. Ushtri nuk kishin. Thesar nuk kishin. Asnjë fuqi e madhe nuk i kishte njohur ende, dhe pjesa më e madhe e vendit ishte nën ushtri të huaja. Kishin një flamur, një vendim dhe fjalën e dhënë. Për atë vendim vunë peng jetën, pasurinë dhe nderin. Atë ditë, flamuri u ngrit në një ballkon të vogël në Vlorë. Dhe që atëherë nuk ka zbritur më. Ka ndërruar duar, breza e kufij, dhe sot është këtu, mes nesh.

 

Miq nga e gjithë bota më kanë pyetur shpesh: çfarë është Shqipëria? Harta ka një përgjigje të shkurtër: 28.748 kilometra katrorë. Zemra ka një përgjigje disi më të gjatë. Shqipëria është guri i Vunoit, që e mban shtëpinë e gjyshes sime mbi det prej shekujsh dhe që as era, as kripa, as koha nuk e tundën dot. Shqipëria është shpata e Skënderbeut, atij jeniçeri shqiptar musliman që krishterimi e shpalli hero. Shqipëria është duart e Nënë Terezës. Ajo lindi këtu, në Shkup, në vitin 1910, dhe i tregoi botës se një grua e vogël me sari të bardhë mund të jetë fuqi e madhe. Shqipëria është malli i Çajupit, që e këndoi mëmëdheun nga Egjipti.

 

Është pena e Konicës, që e mbrojti atdheun nga Brukseli e nga Bostoni me të vetmen armë që kishte: fjalën. Është Kadareja, që e nxori shqipen nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës dhe e vuri në raftet e bibliotekave të botës. Është zëri i Vaçe Zelës, që edhe sot na ngre në këmbë. Është Prizreni i vitit 1878, ku u lidh besa jonë. Janë njëmbëdhjetë burrat e Manastirit, që më 1908 i dhanë gjuhës sonë një alfabet. Është Dedë Gjo Luli, që e ngriti këtë flamur mbi Tuz. Është Ferid Murati, djali i një emigranti nga Gostivari, që mori Çmimin Nobel. Është Luiza Gega, kampione e Evropës, që kur vrapon ajo, vrapojmë të gjithë bashkë me të. Është Dua Lipa, që mbush stadiumet e botës dhe nuk harron kurrë ta thotë nga vjen.

 

Është Mira Murati, vajza nga Vlora, që sot u mëson makinave të mendojnë. Është mjekja shqiptare në një spital të Evropës dhe Mevlan Ademi, studenti i Tetovës, që e kërkon të drejtën e tij me argument dhe me dinjitet. Është Berat Gjimshiti, djali nga Lugina e Preshevës, që mban në krah shiritin e kapitenit të Kombëtares kuqezi. Shqipëria është një vend që sot negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kur tridhjetë e pesë vjet më parë nuk guxonte as ta ëndërronte. Dhe është nëna pranë djepit, që na e mësoi gjuhën kur nuk guxonte të na e mësonte askush tjetër. Shqipëria është një vend i vogël në hartë. Por miq, shqiptaria është e madhe sa zemra e çdo shqiptari, kudo që rreh.

 

Zonja dhe zotërinj, burrat e Vlorës fituan mosvarësinë. Brezi ynë ka një detyrë tjetër, po aq të madhe: të ndërtojë ndërvarësinë mes të barabartëve. Liria e njërit mbetet e brishtë. Liria e të gjithëve bëhet e pathyeshme. Prandaj e festojmë këtë ditë këtu, në Shkup, mes miqve. Gjeografia na bëri fqinj. Miq na bëri zgjedhja jonë. Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur. Miqësia jonë është buka që ndajmë kur hyjmë brenda.

 

Të dashur miq, mandati im në Shkup po mbyllet. Çdo mandat mbaron me një dorëzim detyre. Por disa gjëra, megjithatë, nuk dorëzohen dot. Unë, nga kjo përvojë, marr me vete shumë. Marr me vete kufirin. Aty ku dikur ndaleshim dy herë, punuam që të ndalemi një herë, me „One Stop Shop” në të gjitha pikat kufitare mes vendeve tona. Dhe besoj se do të vijë dita kur në atë kufi nuk do të ndalemi më fare. Marr me vete Abetaren e unifikuar, që shkoi cep më cep, shkollë më shkollë, dorë më dorë. E kam parë gëzimin e fëmijëve kur e hapin për herë të parë. Ai gëzim më ka shpërblyer për çdo rrugë të bërë. Marr me vete të rinjtë, që i patëm gjithmonë të parët në radhë: studentët e drejtësisë me provimin e jurisprudencës dhe urat e bashkëpunimit që ngritëm mes tyre dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Këshillit Kombëtar të Rinisë e unioneve studentore të Shqipërisë. Të rinjtë tanë sot njihen, punojnë dhe ëndërrojnë bashkë.

 

Marr me vete kuotat në universitetet e Shqipërisë, bursat për studentët dhe marrëveshjet mes universiteteve, instituteve, Bibliotekës dhe Arkivit. Marr me vete Manastirin. Shtëpia-Muze e Alfabetit, aty ku shqipja mori shkronjat e saj, sot është e rinovuar plotësisht. Mbështetëm edhe Bibliotekën „Linkest”, që libri shqip të ketë gjithmonë shtëpinë e vet. Marr me vete zërin tuaj në Tiranë. Tirana zyrtare ju pa më nga afër dhe ju dëgjoi më shpesh. Në Samitin e Diasporës, patët vendin dhe fjalën tuaj në çdo panel. Dhe marr me vete Nerovën, me shkollën e saj. Gjej rastin të falënderoj nga zemra banorët, prindërit, mësuesit dhe çdo dorë sipërmarrësi që ndihmoi. Shumë prej jush sot në këtë sallë. Pati edhe nga ata që dyshuan te ne. I falënderoj edhe ata, sepse dyshimi i tyre na bëri më kokëfortë. U pa se për të ecur përpara nuk duhen raketa. Mjafton një klasë, një abetare dhe fjala e mbajtur.

 

Falënderoj institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kolegët ambasadorë, për derën e hapur gjatë këtij mandati. Mbi të gjitha, falënderoj njerëzit që takova këtu. Erdha me një listë takimesh. Po iki me një listë miqsh. Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika. Këto ura i ndërtuat ju. Unë pata nderin t’i kaloj bashkë me ju.

 

Të dashur bashkatdhetarë, fjalën e fundit e kam për ju. Kur erdha në Shkup, mendoja se po ju sillja Shqipërinë. Në fakt Shqipërinë e gjeta këtu. E gjeta te fëmijët që ma dhuruan flamurin në vizatimet e tyre. E gjeta në rrugët tuaja, të veshura kuq e zi në çdo festë tonën. E gjeta te mësuesja që e nis çdo mëngjes orën e mësimit në shqip. Të dashur veteranë, ju e mbajtët këtë flamur kur për ta mbajtur duhej guxim. Të dashur të rinj, juve ju duhet vetëm ta doni. Ata e ruajtën që të mos binte. Ju çojeni aty ku ata nuk arritën dot. Burrat e Vlorës vunë peng jetën, pasurinë dhe nderin. Neve askush nuk na e kërkon jetën. Na kërkohet shumë më pak, prandaj s’kemi asnjë arsye të mos e japim. Sot, në 114-vjetorin e Pavarësisë, japim besën: se këtë gjuhë do t’ua lëmë fëmijëve më të pasur se ç’e gjetëm; se këtë flamur do ta mbajmë lart, pa ia ulur askujt të tijin; se kudo që të jemi, do të jemi bashkë.

 

Ky mandat i ka pasur të gjitha shijet. Ka pasur të ëmbla, ka pasur të kripura, ka pasur edhe ndonjë spec djegës. Ka qenë edhe kështu, edhe ashtu. E megjithatë, nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër. Shkupin do ta mbaj në zemër, për gjithçka më dha. Dhe nuk po ju them lamtumirë, se larg nuk po shkoj. Do të jem vetëm pesëdhjetë minuta pranë. E kur të mbarojë rruga e bekuar kufirit, edhe më pak. Detyrat ndërrohen. Miqtë mbeten. E flamuri kuqezi na mbledh sërish, kudo që të jemi.

 

Gëzuar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë! Rroftë miqësia mes popujve tanë! Rrofshin shqiptarët, kudo që janë! Shqipërisë iu rrittë ndera!

 

 

Komentet

Komentet e para i shqyrton redaksia.

Bëhu i pari që komenton.

Shkruaj komentin e parë

Më shumë lajme