Policia Financiare ka parashtruar kallëzim penal ndaj Zh.T., ndihmësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe A.S., udhëheqës i Sektorit për Furnizime, Menaxhment dhe Logjistikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Policisë Financiare, të njëjtit dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe kompetencave, që sipas tyre e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth 76.000 euro.
Sipas njoftimit të Policisë Financiare, Zh.T. me vetëdije dhe me qëllim nuk ka marrë vendim për prokurim publik në mëynrë të hapur për servisimin e veturave në pronësi të MPB-së në vitin 2018, edhe pse ishte miratuar plan për plotësimin e planit vjetor, që duhej të zbatohej në dhjetor të vitit 2018.
“Nuk ka ndërmarrë veprime për inicimin dhe shpalljen me kohë të procedurës së rregullt dhe ka rrezikuar sigurinë e punonjësve në MPB, duke i sjellë automjetet në gjendje defekti dhe duke pamundësuar shërbimin e tyre”, thonë nga Policia Financiare, duke shtuar se në këtë mënyrë me qëllim ka marrë vendim pastaj për zbatimin e një procedure urgjente.
Sipas autoriteteve, i dyshuari i dytë A.S. edhe pse ka qenë i detyruar që të angazhojë person për shpallje publike me karakter të hapur, nuk e ka bërë të njëjtën.
“Në këtë mënyrë nuk u ka mundësuar operatorëve të tjerë të interesuar ekonomik që të marrin pjesë në të njëjtën procedurë, në bazë të së cilës i akuzuari i parë, Zh. T. ka lidhur marrëveshje kornizë pas procedurës urgjente me negocim, pa shpallur njoftim, në të cilën i akuzuari i parë së bashku me të akuzuarin e dytë kanë bërë përfitime të kundërligjshme materiale për bartësit e prokurimit Kop Company Shkup, Përzho Avtokompleks Manastir, Automakedonija Shkup, DTU Auto servis Rade import-eksport Tearcë Tetovë dhe MI-DA Grand Motors Shkup, 9.440.000,00 denarë individualisht për secilin person juridik, gjegjësisht në total prej 47.200.000,00 denarë me TVSH”, thonë nga Policia Financiare./tv21.tv