Gjermania nuk e ka në shkallën e duhur aftësinë mbrojtëse si vend, tani po diskutohet rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, po duket se nuk është aq e lehtë.
Shoqata e Rezervistëve të Bundeswehr-it bën thirrje për një rikthim të shpejtë të shërbimit ushtarak në Gjermani. Trupat kanë nevojë për 20.000 ushtarë të rinj këtë vit, tha presidenti i shoqatës Patrick Sensburg për mediat gjermane.
Ministri gjerman i Mbrojtjes nga SPD, Boris Pistorius duket skeptik për një rikthim të shpejtë të rekrutimit të përgjithshëm. “Nuk kemi kazerma të përmasave ku të mund të strehojmë të gjithë rekrutët e një viti”, theksoi ministri. Pistorius sugjeron “t’u ofrojmë perspektivë atyre që vërtet e duan shërbimin dhe që mund të duhen më shumë”.
Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kërkon edhe Unioni CDU/CSU. Politikani i CSU-së, Florian Hahn, kishte kërkuar më parë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak brenda këtij viti. Politikani i mbrojtjes i CSU-së, Thomas Silberhorn u ankua në gazetën “Welt” se me 180. 000 ushtarë, Bundeswehr aktualisht është nën kapacitetin prej 185.000 që ishte vendosur kur shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në 2011. Ne do të na nevojiteshin 270.000 ushtarë, tha ai.