Trendy

Akademia për nëpunësit administrativë hyn në fazën përfundimtare të përgatitjes

Para 3 orë

Akademia për zhvillim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë nuk është vetëm një institucion i ri, por pjesë e një vizioni më të gjerë për krijimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe moderne. Kjo ishte një nga mesazhet kyçe që ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, përcolli në tryezën e rrumbullakët “Sfida të ardhshme në themelimin dhe funksionimin e suksesshëm të Akademisë për zhvillim profesional të nëpunësve administrativë”, ku u prezantuan rezultatet e aktiviteteve të deritanishme, modelet e propozuara për organizimin e Akademisë dhe zhvillimin e programeve të trajnimit.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për themelimin e Akademisë për zhvillim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë”, që Ministria e Administratës Publike e realizon së bashku me Qendrën për Menaxhim Ndryshimesh, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Francës.

Ministri Minçev theksoi se pas miratimit të Ligjit për zhvillim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë, Ministria ka hyrë në një fazë të re – krijimin e të gjitha parakushtve që Akademia të fillojë punën si institucion qendror për zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë.

Në fjalën e tij, ministri veçoi mbështetjen e Ambasadës së Francës dhe institucioneve franceze, duke vlerësuar se shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira përbën ndihmë të rëndësishme në ndërtimin e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për trajnimin e administratës publike.

“Qëllimi ynë është që nga viti i ardhshëm të fillojë zbatimi i plotë i Ligjit, ndërsa Akademia të bëhet vendi qendror ku nëpunësit administrativë do të përmirësojnë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e tyre. Jam i bindur se do të krijojmë një institucion që do të jetë shembull për profesionalizëm, cilësi dhe qëndrueshmëri”, theksoi ministri.

Akademia për nëpunësit administrativë përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të reformës së administratës publike – një vend ku njohuria do të shndërrohet në institucione më të mira, e institucionet më të mira në shërbime më cilësore për qytetarët.

Trending