Trendy

Dritan Goxhaj dhe 10 protestues të tjerë nën hetim

Para 3 orë

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 11 shtetas, mes tyre edhe Dritan Goxhajn, nën dyshimet se gjatë protestave të zhvilluara më 22 dhe 23 qershor në kryeqytet kanë bllokuar akse rrugore dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar dyshohet se kanë devijuar nga zonat e njoftuara për zhvillimin e tubimit dhe kanë zhvendosur protestën në disa kryqëzime kryesore të Tiranës, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve.

Mes të proceduarve është edhe Dritan Goxhaj, i identifikuar si një nga organizatorët e protestës, i cili më herët ka qenë aktiv në artikulimin e kërkesave të protestuesve drejtuar qeverisë. Ai është përmendur gjithashtu në media për qëndrimet e tija publike në mbështetje të regjimit iranian.

Policia bën me dije se hetimet janë kryer nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe se procedimi lidhet me veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Sipas njoftimit, protestuesit kanë zhvilluar tubime në disa pika të ndryshme nga ato të deklaruara më parë, përfshirë kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”, kryqëzimin e “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, si dhe atë me bulevardin “Gjergj Fishta”.

Në këto zona me fluks të lartë lëvizjeje, sipas Policisë, është penguar qarkullimi normal i mjeteve dhe qytetarëve.

Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë.

 

Trending