Gjermanët janë përgatitur për mot përvëlues të shtunën, pasi një valë e të nxehtit, e lidhur me dhjetëra vdekje në Evropën Perëndimore, pritet të zhvendoset drejt lindjes, pasi temperaturat thyen rekord duke kaluar mbi 40 gradë Celsius.
Britania, Franca, Zvicra dhe Gjermania kanë përjetuar temperatura rekord gjatë muajit qershor, ndërsa sistemi i motit mund të vendosë rekorde të tjera teksa kalon nga Gjermania drejt Polonisë.
Të premten, pranë qytetit Zarbruken, afër kufirit me Francën, u regjistrua një rekord i ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius, tha një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë, duke theksuar se matja ishte fillestare.
Thirrje për kursimin e ujit
Shërbimi meteorologjik lëshoi paralajmërime për nxehtësi ekstreme pothuajse në gjithë Gjermaninë të shtunën, ndërsa autoritetet u kërkuan qytetarëve ta kursejnë ujin.
Në Francë, dhjetëra persona, të rinj e të moshuar, kanë humbur jetën gjatë valës së të nxehtit.
Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor dhe prodhimin e energjisë elektrike, kanë çuar në ndalimin e konsumit të alkoolit në disa zona, pezullimin e mësimit në shkolla dhe shtyrjen e aktiviteteve në natyrë.
“Vala e të nxehtit do të arrijë kulmin gjatë fundjavës, me temperatura shumë mbi 40 gradë në disa pjesë të Gjermanisë”, tha Karsten Brandt, meteorolog në faqen e parashikimeve të motit Donnerwetter.de.
Organizatorët e Kampionatit Evropian Ironman në Frankfurt njoftuan se garat e çiklizmit dhe vrapimit, që zhvillohen të dielën, do të shkurtohen për shkak të temperaturave të larta.










