Trendy

Bllokohet Kodi Zgjedhor, partitë nuk arrijnë marrëveshje

Para 3 orë

Edhe pse grupi i punës punoi gjashtë muaj, Maqedonia e Veriut nuk arriti të realizojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe do të funksionojë me Kodin aktual. LSDM dhe E Majta bashkërisht kanë dorëzuar 13,500 amendamente me qëllim për të bllokuar ndryshimet. Pengesa e vetme dhe kryesore ka mbetur mënyra elektronike e votimit të diasporës. Edhe pas takimit të dytë me radhë të partive politike, nuk është arritur marrëveshje për të gjitha temat dhe amendamentet nuk u tërhoqën. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski shprehet se në takim i pranuan të gjitha vërejtjet e opozitës por të njëjtit këmbëngulin për votimin e diasporës.

“Vërejtja e “Së Majtës” sa i përket financimit të partive politike tërësisht u pranua. Pra modeli 42, 42, 8, 5 dhe 3% u pranua tërësisht. Edhe neni 76-g për gjobat prej 8000 eurove për deklaratat në rrjetet sociale u pranua tërësisht të fshihet. E vetmja gjë për çka nuk u pajtua LSDM ishte votimi i diasporës”, deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE. 

Nga opozita maqedonase përsërisin se votimi i propozuar online nuk mund të jetë i zbatueshëm në Maqedoninë e Veriut dhe ka hapësirë për manipulime.

“Kjo mënyrë e votimit që e propozon Hristijan Mickoski nuk është as evropian e as demokratik. Ky ndryshim i ligjit për mënyrë të tillë të votimit të diasporës e cila është 100 mijë apo 200 mijë, hapë mundësi për keqpërdorim, për votim të kontrolluar ose një person të votojë në emër të disa njerëzve. Çfarë nëse ditën e votimit hakohet sistemi elektronik? Si do të jemi të bindur se do të ketë zgjedhje legjitime?”, tha Venko Filipçe nga LSDM.

“E Majta do të dorëzojë 3500 amendamente të cilat vetëm se jemi duke i arkivuar. Problemi me votimin elektronik është se thërriten në modelin francez i cili është i pa zbatueshëm në kushtet tona. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për votim online por të vlejnë vetëm për zgjedhjet presidenciale sepse e dini se janë zgjedhjet e vetme me census”, shtoi Dimitar Apasiev nga E Majta.

Pasi nuk u arrit marrëveshje, deputeti Lupço Prenxhov caktoi seancë të Komisionit për Sistem Politik. Megjithatë, nuk u debatua fare mbi Kodin por vetëm u votua rendi i ditës dhe seanca u ndërpre me arsyetimin se ka shumë amendamente, të gjitha duhet të arkivohen dhe të përkthehen në gjuhën shqipe. Ndonëse u diskutua gjatë, modeli zgjedhor mbetet i njëjti me gjashtë zona dhe nuk u kalua në një zonë zgjedhore pasi nuk pati pajtim mes partive për censusin në zgjedhje./Alsat.mk.

Trending