Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, ka reaguar ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas qëndrimeve të këtij të fundit kundër protestave të studentëve në Shqipëri, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë drejtuar Ahmetit, Çejku e këshillon atë të mos vazhdojë të mbështesë kreun e qeverisë shqiptare, duke e kritikuar ashpër për qëndrimin e tij në raport me situatën politike në Shqipëri.
“Zoti Ahmeti, të këshilloj si mik të mos vazhdoni të mbështesni një autokrat që po përgjak popullin e tij për karrigen e vet dhe interesat personale, sepse kjo është një njollë që do ju mbetet gjatë!”, shkruan Çejku në reagimin e tij.
Ish-ambasadori i bën thirrje kreut të BDI-së që të mbajë përgjegjësi për qëndrimet e tij politike dhe t’i kërkojë Ramës të reflektojë për situatën e krijuar.
“Mbajeni përgjegjësinë për ato që përfaqësoni dhe kërkojini mikut tuaj Rama, t’i thirrë mendjes e ndërgjegjes (nëse i ka mbetur ndoca) dhe të kuptojë se ka hyrë në rrugë pa krye!”, thekson ai.
Në vijim të reagimit, Çejku përmend edhe marrëdhëniet politike mes Ali Ahmetit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke iu referuar simbolikisht çelësit të kryeqytetit që Ahmeti kishte marrë nga Veliaj.
“Ju kujtoj se e morët ‘çelësin e Tiranës’ nga lali Eri, por ti humbe zgjedhjet dhe ai shkoi në burg!”, shprehet Çejku.
Në përfundim, ish-ambasadori thekson se dashuria për atdheun duhet të shoqërohet me paanshmëri, veçanërisht në momente të vështira politike për Shqipërinë.
“Ta duash mëmëdheun, duhet të jesh realisht i paanshëm, sidomos në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria!”, përfundon reagimin e tij Arben Çejku.

Komentet
Bëhu i pari që komenton.












