Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria e Izraelit është e përgatitur të godasë Iranin “edhe për herë të tretë, nëse do të jetë e nevojshme”, duke theksuar se një operacion i ri do të ishte edhe më i ashpër.
Duke folur gjatë një ceremonie ushtarake, Katz tha se forcat izraelite mbeten në gatishmëri të plotë për një rifillim të luftimeve.
“Ushtria është e përgatitur dhe në gatishmëri për rifillimin e luftimeve, për të rikthyer epërsinë ajrore dhe për të goditur sërish Iranin, për të eliminuar kërcënimet, edhe për herë të tretë nëse do të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet në rajon janë rritur sërish, pasi sulmet e reja të Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave në Iran dhe kundërpërgjigjet e Teheranit ndaj aleatëve rajonalë të Washington-it kanë shtuar frikën për shembjen e armëpushimit mes palëve.
Në të njëjtën ceremoni, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Irani ka dalë i dobësuar nga dy fushatat ushtarake të Izraelit, por pranoi se përballja nuk ka përfunduar.
“Irani dhe aleatët e tij janë më të dobët se kurrë”, tha Netanyahu.
Lufta e fundit mes Izraelit dhe Iranit nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë ajrore, gjatë së cilës u vra udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, si dhe një numër zyrtarësh të lartë iranianë.
Sipas autoriteteve izraelite, kjo ishte fushata e dytë ushtarake kundër Iranit, pas konfliktit 12-ditor të zhvilluar në qershor të vitit 2025, ku u përfshinë edhe Shtetet e Bashkuara.










