Trendy

Facebook dhe Instagram nxisin varësinë te përdoruesit

Para 4 orë

Komisioni Evropian ka ngritur akuza ndaj kompanisë Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, duke e akuzuar se nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të kufizuar ndikimin e dizajnit “varësues” të platformave të saj tek shëndeti fizik dhe mendor i përdoruesve. Në dokumentin zyrtar të publikuar të premten, autoritetet europiane deklarojnë se disa funksione të rrjeteve sociale, si luajtja automatike e videove (autoplay) dhe lëvizja pa fund në përmbajtje (infinite scroll), ndikojnë në sjelljen e përdoruesve duke i mbajtur ata të angazhuar për periudha të gjata kohore.

Sipas Komisionit Evropian, këto elemente “e kalojnë trurin në një gjendje automatike”, duke nxitur krijimin e zakoneve jo të shëndetshme dhe përdorimin kompulsiv të platformave. Në fokus të veçantë janë edhe përdoruesit e mitur. Ndërsa BE po shqyrton mundësinë e kufizimit të aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, Komisioni tha se Meta ka shpërfillur të dhënat mbi kohën që të rinjtë kalojnë në Facebook dhe Instagram, veçanërisht gjatë natës.

Autoritetet europiane kanë ngritur shqetësime edhe për funksione si Reels dhe Stories, të cilat sipas tyre mund të çojnë në “përdorim të tepruar ose edhe varësi” nga shërbimet e kompanisë. Komisioni Evropian vlerëson se dizajni i Facebook dhe Instagram mund të përbëjë shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (Digital Services Act), i cili synon të mbrojë përdoruesit nga rreziqet online, përfshirë përmbajtjet e paligjshme, dezinformimin dhe praktikat manipuluese. Meta është kontaktuar për një reagim, ndërsa kompania ka deklaruar më herët se ka investuar prej më shumë se një dekade në zhvillimin e mjeteve dhe politikave për mbrojtjen e përdoruesve të rinj, duke synuar krijimin e një eksperience të sigurt dhe të përshtatshme për moshën.

Trending