Emërtimi i rrugëve dhe shesheve në Tetovë ka shkaktuar përplasje të forta politike mes partive shqiptare. Ndërsa opozita shqiptare kërkon që sheshet dhe disa rrugë të mbajnë emrat e patriotëve shqiptarë si Mujdin Aliu, Mehmet Gega dhe Rafi Halili, si dhe që sheshi qendror të quhet “Iliria”, pushteti lokal i udhëhequr nga Bilall Kasami ka dalë me propozime të tjera.
Sipas raportimeve të portalit TS, partia e Kasamit ka propozuar emra më “neutralë”, si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ismail Kadare, si dhe emra të metropoleve evropiane si Parisi, Londra dhe Brukseli. Ky veprim interpretohet si një përpjekje për të mos acaruar partnerin e koalicionit, VMRO-DPMNE, pasi propozimet me emra të figurave më kontroverse shqiptare vështirë se do të merrnin mbështetjen e nevojshme në Këshillin Komunal.
Në kulmin e këtyre debateve, historiani i njohur Nuri Bejxheti doli me një propozim që ka ngjallur reagime të shumta: ai sugjeroi që sheshi i Tetovës të emërtohet sipas Vlado Çernozemskit dhe madje t’i ngrihet edhe një monument.
Në një intervistë televizive, Bejxheti argumentoi se, mes përplasjes për emra me ngarkesë komuniste dhe atyre me karakter kombëtar shqiptar, një zgjidhje kompromisi do të ishte një figurë historike që, sipas tij, i dha një goditje të rëndë Serbisë.
“Unë mendoj se emri duhet të jetë ai i vojvodës së njohur bullgar, Vlado Çernozemski. Ai, së bashku me Ante Paveliqin, në vitin 1934 në Marsejë, vrau mbretin serb (jugosllav) Aleksandër. Që Maqedonia të bëhej e pavarur, a e vrau ai mbretin e Serbisë? Po! Atëherë pse të mos e nderojmë?”, deklaroi Bejxheti.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai bëri një krahasim mes lëvizjes së kaçakëve në Kosovë dhe veprimtarisë së VMRO-së së asaj kohe.
“Sipas tij, kaçakët në Kosovë në kohën e Azem Bejtës vranë vetëm një xhandar, ndërsa pjesëtarët e VMRO-së vranë mbretin e Serbisë. Prandaj, Tetova, si qendra e shqiptarëve, duhet ta nderojë Vlado Çernozemskin me një monument, duke treguar se Maqedonia është shtet i pavarur dhe nuk ka lidhje me Serbinë”, u shpreh historiani.
Ndërkohë, procesi për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është pezulluar përkohësisht, pasi partitë opozitare shqiptare, përmes protestave, kanë kundërshtuar planet e kryetarit të komunës, Bilall Kasami, dhe shumicës në Këshillin Komunal.
Trending










