Pas më shumë se një dekade premtimesh dhe paralajmërimesh, sot zyrtarisht kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm për lidhjen infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga Partia VLEN, e cila e cilëson këtë projekt si një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Sipas VLEN-it, ndërtimi i kësaj autostrade për më shumë se një dekadë ka qenë pjesë e premtimeve dhe planeve të ndryshme politike, ndërsa projekti disa herë është paralajmëruar dhe përfshirë në buxhetet shtetërore pa u realizuar në praktikë.
Nga partia thonë se nisja e punimeve shënon kalimin nga faza e premtimeve në realizimin konkret të projektit.
Autostrada Shkup–Bllacë pritet të ketë rëndësi për përmirësimin e lidhjes rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe për lehtësimin e qarkullimit, zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e tregjeve dhe komuniteteve.
Në njoftimin e saj, VLEN i ka kushtuar rëndësi edhe simbolikës së datës së nisjes së punimeve, e cila përkon me ditëlindjen e Nënë Terezës, e lindur në Shkup.
“Rrugët nuk janë vetëm asfalt dhe beton. Rrugët janë lidhje. Janë ura mes njerëzve, kulturave, ekonomive dhe mundësive”, thuhet në njoftimin e Partisë VLEN.
Njoftimi përfundon me mesazhin: “Të gjitha rrugët çojnë në Bllacë!”











