Izraeli kishte paralajmëruar autoritetet britanike se Irani po planifikonte një sulm ndaj një baze ushtarake në Britani, ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarata vjen pas incidentit të së dielës pranë bazës ajrore Fairford, në jugperëndim të Anglisë, e cila përdoret nga ushtria amerikane në luftën kundër Iranit.
Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi të mërkurën se ekzistojnë “indicie të forta” për përfshirjen e Teheranit në incident.
Pesë shtetas britanikë, të moshës 23 deri në 25 vjeç, u arrestuan nën dyshimet për shkelje të ligjit për eksplozivët dhe përgatitjen e një akti terrorist. Ata u liruan të hënën me kusht.
Irani ka mohuar “kategorikisht” çdo lidhje me ngjarjen. Sipas agjencisë iraniane Irna, ambasadori britanik në Teheran është thirrur në Ministrinë e Jashtme iraniane.
Netanyahu, duke folur të mërkurën në Fox News, tha se Izraeli kishte informuar Londrën më 8 shtator për një komplot të mundshëm iranian.
“I dhamë britanikëve informacione të inteligjencës se do të ndodhte një sulm, një sulm i orkestruar nga Irani. Dhe pothuajse të nesërmen, ata vendosën sanksione ndaj nesh”, deklaroi Netanyahu.
Kryeministri izraelit e lidhi këtë me vendimin e qeverisë britanike për masa që ndalojnë importin e produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Në përgjigje të masave britanike, Izraeli njoftoi mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalem, duke shënuar një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Masave britanike iu bashkuan edhe Franca dhe Kanadaja, në një periudhë tensionesh mes Izraelit dhe disa vendeve evropiane lidhur me dhunën e kolonëve dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara.











