Një i ri pjesëmarrës në protestën studentore ka shpërthyer në kritika ndaj qeverisë, duke denoncuar kushtet e vështira ekonomike dhe pagat e ulëta, të cilat sipas tij nuk mjaftojnë për të përballuar as shpenzimet bazë të jetesës.
Gjatë një prononcimi nga protesta, i riu u shpreh i revoltuar për situatën në vend, duke akuzuar qeveritarët se jetojnë në luks, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike.
Ai kritikoi gjithashtu përdorimin e gazit nga policia ndaj protestuesve, duke pretenduar se të rinjtë nuk po provokojnë, por po kërkojnë të drejtat e tyre.
“Nuk po provokojmë, por na hedhin gaz elefantësh dhe arinjsh. Ne nuk kemi as shëndetësi, as rrugë. Këta bëjnë sikur këtu është mrekulli e botës. Ata kanë vila, shtëpi e jetë luksi, ne mendojmë se çfarë do të hamë”, u shpreh ai.
Sipas të riut, pagat aktuale janë të pamjaftueshme për të mbuluar qiranë, faturat e energjisë elektrike, të ujit dhe nevojat e përditshme.
“Me këto rroga qesharake që as për qira, drita e ujë nuk bëjnë. Me 500 mijë lekë çfarë do të bësh? Çfarë do të hajë apo pijë një njeri? Mendojnë këta që janë bërë miliarderë dhe nuk e lëshojnë karrigen vetëm me dhunë”, deklaroi protestuesi.
I riu theksoi se pakënaqësia e tij lidhet me kontrastin mes kushteve të jetesës së qytetarëve dhe pasurisë që gëzojnë përfaqësuesit e pushtetit.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












