Avokati Spartak Ngjela ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri historike në një kohë kur vendi po përballet me tensione të forta politike dhe protesta të studentëve.
Përmes një reagimi të ashpër në Facebook, Ngjela ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe përgjegjësinë e kryeministrit, duke paralajmëruar se moslargimi i tij nga detyra mund të sjellë pasoja edhe në aspektin ligjor.
“Shqipëria apo Rama? Dorëheqja e Edi Ramës apo shkatërrimi i Shqipërisë?”, shtron si pyetje thelbësore avokati, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale në vend.
Sipas tij, protesta e të rinjve dhe studentëve është një sinjal i fuqishëm për gjendjen politike, ndërsa dorëheqjen e kreut të qeverisë e konsideron të domosdoshme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
“Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama sot është domosdoshmëri historike. Gjendja është shumë e rëndë sot për Shqipërinë. Protesta e rinisë studentore është shumë e fortë”, ka deklaruar Ngjela.
Ai ka shkuar edhe më tej, duke paralajmëruar se nëse Rama nuk largohet nga detyra brenda ditës, përgjegjësia e tij mund të bëhet objekt i organeve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
“Shqipëria është në rrezik kombëtar dhe drejt shkatërrimit. Këtë gjendje e shpëton vetëm dorëheqja e kryeministrit Rama”,ka shkruar Ngjela.
Në vijim, avokati ka paralajmëruar se mosdorëheqja e kryeministrit mund të sjellë pasoja të rënda juridike.
“Nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen si kryeministër brenda datës së sotme, përgjegjësia e tij do të jetë shumë e madhe në organet gjyqësore, si çështje me akuzë penale, e ngritur kundër tij në SPAK”,thuhet në deklaratën e tij.
Deklaratat e Ngjelës vijnë në një kohë kur protestat në Shqipëri kanë shoqëruar një klimë të tensionuar politike, ndërsa kërkesat për përgjegjësi politike dhe institucionale janë bërë pjesë e debatit publik.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












