Kontrollet në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës janë shtuar gjatë dy ditëve të fundit për shtetasit shqiptarë që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut. Sipas burimeve policore, në hyrje të pikës kufitare janë angazhuar efektivë të Policisë Kufitare dhe të Policisë së Shtetit, të cilët po kryejnë kontrolle të imtësishme në automjete.
Sipas të njëjtave burime, masat e shtuara lidhen me dyshimet për transportimin e sendeve të ndaluara, si dhe me mundësinë që grupe të caktuara qytetarësh nga Maqedonia e Veriut të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar.
Burimet bëjnë me dije se policia ka pasur informacione paraprake për lëvizjen e këtyre grupeve drejt kryeqytetit. Për këtë arsye, janë shtuar kontrollet dhe verifikimet në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar për ndonjë rast konkret të konstatimit të sendeve të ndaluara apo për ndalime të kryera në kuadër të këtyre kontrolleve.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












