Trendy

Adnan Azizi: Qytetarët nuk harrojnë 22 vitet e qeverisjes së BDI-së

Para 1 orë

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj BDI-së, duke deklaruar se drejtuesit e saj, sa herë që vijnë në Tetovë, përballen me pasojat e qeverisjes së tyre shumëvjeçare dhe jo me VLEN-in.
Sipas Azizit, pas 22 viteve në pushtet, BDI ka lënë pas një sërë problemesh, duke përmendur rrugët e amortizuara, sfidat në shëndetësi, arsimin e politizuar, deponitë e egra, qentë endacakë, problemet me furnizimin dhe cilësinë e ujit, uzurpimin e hapësirave publike, ndotjen e ajrit, shërbimet e dobëta komunale, si dhe akuzat për korrupsion, ryshfet dhe keqpërdorime.
Ai veçon si pasojën më të rëndë largimin e të rinjve nga Tetova dhe Pollogu, duke thënë se “kolonat e autobusëve me të rinj” që emigruan në kërkim të një të ardhmeje më të mirë janë dëshmi e dështimit të qeverisjes së deritanishme.
“Nuk i ndjek VLEN-i. I ndjek kujtesa e qytetarëve. U del përpara pasqyra e 22 viteve të qeverisjes së tyre dhe atë pasqyrë nuk mund ta thyejnë, sepse është e gdhendur në kujtesën e çdo tetovari”, shkruan Azizi.

Deputeti i VLEN-it shton se BDI po përpiqet t’ia atribuojë përgjegjësinë kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për problemet e qytetit, por sipas tij, qytetarët tashmë shohin ndryshimet e bëra gjatë mandatit të Kasamit, duke përmendur përmirësimin e pastërtisë, shërbimeve komunale, investimet në infrastrukturë, lirimin e hapësirave publike dhe trajtimin e problemeve të trashëguara.
Në fund, Azizi vlerëson se historia do ta gjykojë BDI-në për gjurmët e lëna gjatë qeverisjes, duke pretenduar se partia humbi një mundësi historike për zhvillimin e Tetovës dhe Pollogut dhe se sot po përpiqet t’ua faturojë të tjerëve problemet e krijuara ndër vite.

Trending