Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit kanë sjellë një situatë alarmante me zjarret në territorin e Komunës së Tearcës. Vetëm gjatë ditës së sotme, ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në tri raste të ndryshme për të vënë nën kontroll dhe shuar flakët.
Përmes një njoftimi zyrtar, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, duke kërkuar shmangien e menjëhershme të ndezjes së zjarreve në hapësira të hapura.
“Çdo veprim i pakujdesshëm që mund të shkaktojë zjarr është i rrezikshëm dhe do të pasohet me masa ligjore nga institucionet kompetente”, thuhet në reagimin e komunës.
Për shkak të rrezikut të lartë, Komuna e Tearcës i ka drejtuar një kërkesë publike edhe organeve të rendit. Nga policia kërkohet që të shtohen urgjentisht kontrollet dhe patrullimet në terren, me qëllim parandalimin e vatrave të reja dhe kapjen e personave që mund të shkaktojnë zjarre me qëllim apo nga pakujdesia.
Në fund të apelit, komuna kërkon bashkëpunimin e të gjithë banorëve me moton: “Të mbrojmë së bashku Komunën tonë!”, duke kujtuar se mbrojtja e mjedisit dhe e sigurisë publike është përgjegjësi e secilit.










