Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, iu përgjigj me ironi deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe do të paguhen për garantimin e sigurisë së lundrimit.
Në një postim në platformën X, Araghchi tha se Trump “ka plotësisht të drejtë”, por shtoi se vendi që garanton kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit ka qenë gjithmonë Irani.
“Presidenti i SHBA-së ka absolutisht të drejtë. Kushdo që garanton kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kompensohet për këtë shërbim. Irani ka qenë gjithmonë roja e ngushticës dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë“, shkroi kryediplomati iranian.
Araghchi komentoi me sarkazëm edhe deklaratën e Trumpit për vendosjen e një tarife prej 20% mbi ngarkesat që kalojnë përmes Hormuzit.
“20% është, sigurisht, e tepruar. Ne do të jemi të drejtë“, shkroi ai.
Ndërkohë, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar, që vepron nën Marinën amerikane, njoftoi se nga ora 23:00 (me orën e Greqisë) e 14 korrikut do të hyjë në fuqi bllokada detare ndaj Iranit.
Sipas njoftimit, bllokada do të zbatohet për të gjitha anijet, pavarësisht flamurit që mbajnë, dhe do të përfshijë të gjithë vijën bregdetare iraniane, portet dhe terminalet e naftës.
Megjithatë, autoritetet amerikane sqaruan se nuk do të pengohet kalimi i lirë i anijeve drejt destinacioneve joiraniane përmes Ngushticës së Hormuzit. Po ashtu, do të lejohen të kalojnë edhe anijet që transportojnë ndihma humanitare, pasi t’i nënshtrohen kontrolleve përkatëse.










