Mbi 11 mijë persona në rajonin e Bazelit në Zvicër e kanë shqipen gjuhë kryesore, ndërsa komuniteti shqiptar po shënon prezencë të rëndësishme edhe në ekonominë lokale, përmes punësimit dhe zhvillimit të bizneseve.
Sipas të dhënave statistikore të vitit 2024, gjithsej 11,539 banorë të moshës 15 vjeç e lart në kantonet Basel-Stadt dhe Basel-Landschaft kanë deklaruar shqipen si gjuhë kryesore.
Ndërkohë, në fund të vitit 2025, në këto dy kantone janë regjistruar 10,257 shtetas nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Megjithatë, këto shifra nuk paraqesin numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon, pasi statistikat zvicerane regjistrojnë shtetësinë dhe gjuhën, e jo përkatësinë etnike.
Lexo edheFshati zviceran jep deri në 76.000 euro për banorë të rinj – por ka një kusht që duhet ta përmbushniPërveç pranisë në jetën shoqërore, shqiptarët janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë ndërtimtarinë, transportin, industrinë, gastronominë, tregtinë dhe shëndetësinë.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe rritja e sipërmarrjes shqiptare në këtë pjesë të Zvicrës.
Sipas një raportimi të portalit zviceran “Bajour”, në rajonin e Bazelit vlerësohet të ekzistojnë rreth 300 kompani me prejardhje shqiptare.
Ky vlerësim është bërë nga Hirmet Ziberi, i cili në vitin 2026 themeloi shoqatën “Albanische Unternehmen beider Basel”, me qëllim të bashkimit dhe përfaqësimit të bizneseve shqiptare në rajonin e Bazelit.
Komuniteti shqiptar është i pranishëm si në qytetin e Bazelit, ashtu edhe në komunat përreth. Ndërkohë, gjeneratat e reja po ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes arsimit, punësimit dhe integrimit në shoqërinë zvicerane.
Këto të dhëna dëshmojnë praninë e rëndësishme të komunitetit shqiptar në këtë rajon, jo vetëm si pjesë e fuqisë punëtore, por edhe si kontribuues në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Zvicrës.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












