Trendy

Bullgaria kërcënon me veto ndaj paketës së re të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë

Para 52 minuta

Bullgaria mund të bëhet vendi i parë anëtar i BE-së që do të bllokojë paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë këtë verë. Kryeministri Rumen Radev ka kërcënuar se do të vendosë veto nëse patriarku rus Kirill dhe ish-kreu i gjigantit të naftës Lukoil, Vagjit Alekperov, nuk hiqen nga lista e sanksioneve.

Paketa e diskutueshme e sanksioneve përfshin 34 persona dhe 47 organizata, ndërsa Radev ka bërë të qartë gjatë takimit të Këshillit të BE-së më 18 qershor se Sofja nuk do të mbështesë masa që, sipas tij, mund të dëmtojnë interesat kombëtare të Bullgarisë.

Qeveria bullgare është veçanërisht e shqetësuar për ndikimin e mundshëm të sanksioneve në funksionimin e rafinerisë së Lukoil në Burgas, e vetmja rafineri nafte në vend.

Pas vendosjes së sanksioneve nga SHBA ndaj Lukoil vitin e kaluar, shteti bullgar mori kontrollin e funksionimit të kompanisë duke emëruar një administrator special. Megjithatë, kompania zvicerane Litasco, pronare formale e aseteve të Lukoil në Bullgari, ka paralajmëruar se mund të nisë arbitrazh ndërkombëtar për shkak të një shpronësimi të pretenduar të paligjshëm.

Ministri bullgar i ekonomisë, Aleksandar Pulev, ka vlerësuar se një mosmarrëveshje e tillë mund t’i kushtojë shtetit deri në tre miliardë euro. Pikërisht për këtë arsye, Radev beson se sanksionimi i Alekperov mund ta komplikojë më tej situatën dhe të rrezikojë interesat e Bullgarisë.

Megjithatë, kritikët theksojnë se kryeministri nuk ka shpjeguar se si sanksionet personale ndaj Alekperov do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin e rafinerisë apo në mosmarrëveshjet ligjore të mundshme.

Radev gjithashtu është kundër sanksioneve ndaj kreut të Kishës Ortodokse Ruse, patriarkut Kirill, një nga mbështetësit më të njohur të politikës ruse dhe luftës në Ukrainë.

Kryeministri bullgar beson se çështjet fetare nuk duhet të përzihen me politikën dhe pretendon se Kisha Ortodokse Ruse ka një vend të veçantë në historinë e Bullgarisë për shkak të lidhjes së saj me çlirimin e vendit nga Perandoria Osmane në fund të shekullit të 19-të.

“Në jemi një familje”, tha Radev duke shpjeguar kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve.

Megjithatë, shumë historianë dhe analistë politikë i kundërshtojnë këto argumente. Historiani Aleksandar Stojanov beson se kryeministri po e përdor historinë për qëllime politike dhe kujton se Kisha Ortodokse Ruse në atë kohë nuk vepronte në mënyrë të pavarur nga shteti rus.

Opozita paralajmëron afrimin me Moskën

Njoftimi për veton ka shkaktuar reagime të ashpra nga partitë opozitare GERB dhe “Bullgaria Demokratike”, të cilat e akuzojnë qeverinë se po i përshtat gjithnjë e më shumë vendimet e politikës së jashtme me interesat ruse.

Shqetësim shtesë është fakti që Sofja së fundmi ka ndaluar dërgimin e armëve shtetërore në Ukrainë, ndërsa Radev vazhdon të këmbëngulë për një qasje më të kujdesshme ndaj Moskës.

Megjithatë, retorika e kryeministrit gjen mbështetje edhe nga një pjesë e publikut. Sipas një sondazhi të fundit të Eurobarometrit, rreth 45% e bullgarëve nuk i mbështesin sanksionet ndaj Rusisë, pothuajse dy herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

Test për unitetin e BE-së

Ndërsa Hungaria dhe Sllovakia më parë kanë bllokuar ose ngadalësuar miratimin e sanksioneve kundër Rusisë, Bullgaria nuk e ka përdorur kurrë veton e saj në këtë proces.

Vendimi i Sofjes mund të shërbejë si një test për unitetin e BE-së në një kohë kur Brukseli po përpiqet të rrisë presionin ndaj Moskës dhe të afrohet drejt negociatave të mundshme për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Nëse Bullgaria mban qëndrimin e saj në mbledhjet e ardhshme të BE-së, patriarku Kirill dhe Vagjit Alekperov mund të përjashtohen nga paketa e re e sanksioneve evropiane.

Trending