Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, paralajmëroi fillimin e negociatave për një marrëveshje të re kolektive dhe rritje të pagave në Armatë, duke theksuar se Qeveria njëkohësisht po punon edhe për shlyerjen e detyrimeve financiare të trashëguara nga e kaluara.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare në Kuvend, Misajllovski njoftoi se nga e hëna do të nisin bisedimet me sindikatat për një marrëveshje të re kolektive, ndërsa nga viti i ardhshëm parashikohet rritje e pagave dhe e vlerës së pikës për personelin ushtarak.
“Që nga e hëna do të ulemi me të gjitha sindikatat dhe do të diskutojmë për një marrëveshje të re kolektive. Nga viti i ardhshëm do të ketë rritje të pagave në Armatë, do të rritet vlera e pikës, ndërsa në vitet në vijim do të ketë edhe rritje përqindore në përputhje me mundësitë buxhetore”, deklaroi Misajllovski.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes vazhdon të përballet me obligime financiare të trashëguara nga e kaluara, veçanërisht si rezultat i proceseve gjyqësore.
“Çdo vit paguhen disa mijëra padi të trashëguara nga periudha e mëparshme”, tha ministri.
Duke iu referuar buxhetit, Misajllovski theksoi se me ribalancin aktual prioritet mbetet mbulimi i borxheve të vjetra, por paralelisht planifikohen edhe investime të reja për përmirësimin e kapaciteteve të Armatës.
Lidhur me vërejtjet e deputetes Sllavjanka Petrovska për shkurtimet në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ngecjen në rritjen e pagës bazë, ministri u përgjigj se më herët ishte nënshkruar një marrëveshje kolektive pa u siguruar mjetet financiare të nevojshme për zbatimin e saj, gjë që sipas tij ka krijuar obligime shtesë për institucionin.
Misajllovski siguroi se marrëveshja e re kolektive do të jetë rezultat i dialogut me sindikatat dhe do të synojë përmirësimin e statusit dhe kushteve të punës së pjesëtarëve të Armatës.










