Trendy

Dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur, zbulohen eshtra njerëzore në Zubin Potok

Para 58 minuta

Burime brenda Kanal10 raportojnë se gjatë veprimeve hetimore në territorin e komunës së Zubin Potokut janë zbuluar mbetje mortore. Dyshimet e para çojnë tek mundësia që këto eshtra t’u takojnë 23 intelektualëve shqiptarë, të cilët humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit të Kosovës.

 

Në kuadër të këtij operacioni, forcat e rendit arrestuan dy individë mbrëmjen e djeshme në Zubin Potok. Të arrestuarit janë Momir Jakshiq dhe Milojko Bishevac. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dyshimet ndaj tyre lidhen me krime të rënda penale, konkretisht vrasjen dhe fshehjen e trupave të një grupi shqiptarësh, i njohur gjerësisht si grupi i intelektualëve të Mitrovicës.

 

Detajet mbi identitetin e saktë të mbetjeve të gjetura mbeten ende të pakonfirmuara. Procesi i verifikimit do të bëhet i mundur përmes analizave të specializuara mjeko-ligjore. Autoritetet kanë theksuar se veprimet hetimore janë në ecuri dhe se opinioni publik do të përditësohet për çdo të re mbi këtë rast.

 

Kanal 10 do të vijojë t’ju mbajë të informuar gjatë orëve në vazhdim rreth zhvillimeve të lidhura me gjetjet në atë që dyshohet si varrezë masive.

Trending