Të dhënat për tremujorin e parë dhe të dytë tregojnë se popullsia në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për gjithsej 2.967 persona, ndërsa shtim natyror të popullsisë është regjistruar vetëm në 15 nga gjithsej 80 komunat e vendit.
Ajo që shqetëson veçanërisht është fakti se edhe në komunat ku vitin e kaluar kishte më shumë të porsalindur sesa persona të vdekur, tashmë po shënohet rënie e shtimit natyror të popullsisë. Gjatë periudhës së fundit, përfaqësuesit qeveritarë kanë paralajmëruar masa të caktuara për stimulimin e natalitetit, të cilat ende nuk kanë përfunduar dhe miratuar. Ndërkohë, paralajmërohen edhe masa të reja. Nga Ministria e Politikës Sociale kanë konfirmuar për gazetën “Veçer” se tashmë është duke u përgatitur një strategji e tillë.
Të dhënat statistikore për gjashtë muajt e parë të këtij viti tregojnë zhvillime të reja shqetësuese lidhur me lëvizjet demografike në komunat e vendit. Sipas tyre, vetëm në 15 komuna nga gjithsej 80 ka më shumë lindje sesa vdekje, ndryshe nga viti i kaluar, kur 18 komuna kishin shtim natyror të popullsisë.
Por ky nuk është fakti i vetëm që ngre alarmin demografik. Edhe më shqetësuese është se në komunat që kishin bilanc pozitiv demografik, tashmë po zvogëlohet ndjeshëm shtimi natyror. Një gjendje e tillë vërehet në afro dhjetë komuna me shumicë shqiptare, të cilat gjatë viteve të kaluara kishin dukshëm më shumë të porsalindur sesa të vdekur, krahasuar me komunat në pjesët e tjera të Maqedonisë.
Kjo dëshmohet qartë nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për vitin e kaluar dhe gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në vitin 2025, popullsia e vendit u zvogëlua për 4.381 persona, pasi u regjistruan vetëm 15.531 lindje dhe 19.921 vdekje.
Ndërkaq, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, numri i banorëve është zvogëluar për 2.967 persona. Kjo do të thotë se për vetëm gjysmën e vitit është regjistruar një bilanc negativ sa dy të tretat e rënies së përgjithshme gjatë gjithë vitit të kaluar. Këto të dhëna tregojnë se deri në fund të dhjetorit mund të pritet një bilanc edhe më i rëndë, i cili mund të arrijë në rreth 5.000 banorë më pak.
Rënia po thellohet edhe në komunat me shtim natyror
Ky parashikim pesimist lidhet veçanërisht me atë që po ndodh në komunat të cilat deri më tani, në njëfarë mase, e zbusnin shtimin negativ natyror të popullsisë.
Për shembull, në komunat Butel dhe Petrovec, gjatë gjithë vitit të kaluar kishte nga 20 të porsalindur më shumë sesa persona të vdekur, ndërsa tani këto komuna kanë bilanc negativ prej 39, përkatësisht 10 personash.
Edhe më shqetësuese është gjendja në Komunën e Çuçer Sandevës, ku vitin e kaluar kishte shtim natyror prej 43 foshnjash më shumë sesa vdekje, ndërsa të dhënat gjashtëmujore tregojnë se tashmë numri i banorëve është zvogëluar për 12 persona.
Në Dollnen, vitin e kaluar kishte shtatë lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa tani komuna është në minus 11 persona. Në Komunën Qendër të Shkupit, viti i kaluar përfundoi me bilanc pozitiv prej 23 personash, por gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti është regjistruar bilanc negativ prej 62 personash.
Shqetësimi është edhe më i madh kur shikohet zvogëlimi i shtimit natyror në disa komuna të tjera.
Në Tetovë, për shembull, gjatë gjithë vitit të kaluar numri i popullsisë ishte rritur për 166 persona, ndërsa pas gjashtë muajve të parë të këtij viti rritja është vetëm 26 persona.
Në Studeniçan, vitin e kaluar shtimi ishte 296 persona, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti vetëm 97. Në Likovë, krahasuar me shtimin prej 95 personash vitin e kaluar, tani janë regjistruar vetëm 15 persona.
Në Zhelinë, vitin e kaluar numri i popullsisë ishte rritur për 43 persona, ndërsa gjatë gjashtë muajve të fundit vetëm për shtatë. Në Haraçinë, ky raport është 180 persona vitin e kaluar, kundrejt 65 gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Në Çair, krahasimi është 277 me 104 persona, ndërsa në Saraj 298 me 123 persona.
Edhe përllogaritjet më të thjeshta tregojnë se deri në fund të vitit, gjatë periudhës korrik-dhjetor, vështirë se mund të ketë përmirësim të ndjeshëm të bilancit të regjistruar deri më tani.
Të gjitha këto të dhëna tregojnë se trendi negativ demografik me gjasë do të vazhdojë me ritëm edhe më të shpejtë. Për pasojë, pasojat e ashtuquajturës “vdekje e bardhë” këtë vit mund të jenë edhe më të rënda se vitin e kaluar, i cili u vlerësua si viti më i keq demografik në historinë e Maqedonisë.
Kjo vërehet edhe nga të dhënat gjashtëmujore për numrin e personave të vdekur në disa komuna të vendit.
Në komunën e Aerodromit në Shkup, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë vdekur tashmë 102 persona, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin regjistruar 135 vdekje.
Në Gazi Babë ky raport është 101 kundrejt 142 personave, në Karposh 112 kundrejt 178, në Vinicë 81 kundrejt 119, ndërsa në Kërçovë gjatë gjashtë muajve të parë kanë vdekur 106 persona, krahasuar me 174 gjatë tërë vitit të kaluar.
Pritet strategjia për përballimin e krizës demografike
Trendet negative vazhdojnë, ndërsa masat që do të duhej të ndikonin në rritjen e natalitetit ende po hasin vështirësi për t’u zbatuar në praktikë.
Gjatë viteve të kaluara janë miratuar masa të ndryshme, por me ndryshimin e pushtetit në vend, ato shpesh janë shfuqizuar, kryesisht për shkak të dallimeve ideologjike ndërmjet partive në pushtet.
Edhe gjatë periudhës së fundit, përfaqësuesit e Qeverisë kanë paralajmëruar masa për stimulimin e natalitetit, të cilat ende presin të përmbyllen dhe të miratohen. Tani paralajmërohen edhe masa të reja.
Nga Ministria e Politikës Sociale kanë konfirmuar për gazetën “Veçer” se tashmë është duke u përgatitur një dokument strategjik për këtë çështje.
“Analiza e treguesve kryesorë demografikë, siç janë shkalla e natalitetit, shkalla e shtimit natyror, shkalla e vdekshmërisë dhe shkalla e përgjithshme e fertilitetit, tregon praninë e trendeve negative demografike. Sfidat demografike nuk janë specifike vetëm për vendin tonë, por janë karakteristike edhe për pjesën më të madhe të shteteve evropiane.
Për këtë arsye, demografia përbën një nga prioritetet e Qeverisë, ndërsa qasja për përmirësimin e gjendjes nënkupton politika dhe masa të koordinuara në disa fusha, përfshirë zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, politikën sociale, kulturën dhe mjedisin jetësor.
Ministria është duke përgatitur dokumente strategjike në fushën e demografisë. Më shumë se një vit po punojmë në përgatitjen e tyre në bashkëpunim me UNFPA-në. Aktualisht është në fazën përfundimtare hartimi i draft-strategjisë për qëndrueshmëri demografike dhe planit të veprimit për zbatimin e saj”, kanë deklaruar nga ky dikaster qeveritar për gazetën “Veçer”.
Kryeministri Hristijan Mickoski, disa muaj më parë, paralajmëroi se nga fillimi i vitit të ardhshëm lirimi i nënave nga tatimi do të jetë një nga masat për stimulimin e rritjes së natalitetit në vend.
Ai atëherë deklaroi se në këtë mënyrë familjet do të përfitonin shuma të konsiderueshme parash, të cilat do të mund t’i përdornin për mbulimin e shpenzimeve të caktuara.
Sipas tij, kjo masë është pjesë e parashikimeve të Strategjisë Demografike të vendit, ku si një nga prioritetet përcaktohet mbështetja për krijimin e familjeve dhe përkrahja e prindërve.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












