Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut ka shqiptuar masa ndëshkuese ndaj dy shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta, duke u ndaluar përkohësisht dhënien e kredive për një periudhë prej 30 ditësh, si dhe duke u vendosur gjoba në përputhje me dispozitat ligjore, përcjell tetova1
Kontrollet e jashtëzakonshme janë realizuar gjatë tre muajve të fundit, pas ankesave dhe denoncimeve të qytetarëve. Megjithatë, Ministria nuk ka bërë të ditur se për cilat kompani konkrete bëhet fjalë.
Nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se mbikëqyrja ndaj shoqërive financiare zhvillohet në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Financiare dhe aktet përkatëse nënligjore, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe kontrolleve të drejtpërdrejta.
Vëmendje e veçantë, sipas institucionit, u kushtohet ankesave, denoncimeve dhe informacioneve të paraqitura nga qytetarët, të cilat shërbejnë si burim i rëndësishëm për identifikimin e parregullsive të mundshme dhe rreziqeve për përdoruesit e shërbimeve financiare.
Lexo edheMickoski: Kompanitë dhe shoqëritë e avokatëve sabotojnë qëllimisht tenderët për të përfituar nga shteti„Çdo ankesë apo denoncim i dorëzuar në Ministrinë e Financave shqyrtohet në kuadër të kompetencave ligjore të institucionit dhe, varësisht nga përmbajtja dhe pretendimet e paraqitura, ndërmerren veprimet përkatëse“, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria bën të ditur se që nga korriku i vitit 2024 ka shqiptuar masa të ndryshme ndaj shoqërive financiare, përfshirë revokimin e katër licencave të punës, mbylljen e përkohshme të tri shoqërive financiare dhe gjobitjen e 18 shoqërive me një vlerë të përgjithshme prej 3.040.323 denarësh, ose rreth 49.400 euro.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë lëshuar edhe 58 urdhra me shkrim, me afate konkrete për eliminimin e parregullsive të konstatuara./tetova1.mk
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












