Një shtetase e Maqedonisë së Veriut është arrestuar sot në Mal të Zi, pasi u raportua se me automjetin e saj ka shtypur një qen në një lagje të Ulqinit. Sipas informacioneve jozyrtare nga policia, pas incidentit ajo tentoi të largohej nga Mali i Zi, por u ndalua në pikën kufitare, raportoi RTCG.
Gruaja nga Maqedonia e Veriut mbyt mizorisht një qen në rrugë në Malin e Zi — tentoi të arratisej, por u kap në kufi
Një shtetase e Maqedonisë së Veriut është arrestuar sot në Mal të Zi, pasi u raportua se me automjetin e saj ka shtypur një qen në një lagje të Ulqinit. Sipas informacioneve jozyrtare nga policia, pas incidentit ajo tentoi të largohej nga Mali i Zi, por u ndalua në pikën kufitare, raportoi RTCG.
Policia e Ulqinit rreth orës 16:00 mori një denoncim se një person kishte shtypur një qen që kishte pronar. Brenda një kohe të shkurtër u gjet automjeti dhe u identifikua drejtuesja e tij, një shtetase e Maqedonisë së Veriut, e cila u shoqërua në ambientet e Policisë së Ulqinit.
Ajo kishte tentuar të largohej nga vendi, por policia e pengoi. Në vendin e ngjarjes do të zhvillohet hetim, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore, e cila do të vendosë për kualifikimin e veprës penale.
Në rrjetet sociale është publikuar një video shqetësuese nga Marta Darmanoviq, ku shihet një automjet duke shtypur një qen të racës Sharplaninac, ndërsa pas automjetit shihet edhe një qen tjetër i ngordhur. Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për qenin e gruas së arrestuar, i cili paraprakisht ishte sulmuar dhe vrarë nga qeni Sharplaninac.
Organizata joqeveritare “Miqtë e Kafshëve” kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente, duke kërkuar që personi përgjegjës të ndiqet penalisht dhe të ndëshkohet sipas Ligjit për Mirëqenien dhe Mbrojtjen e Kafshëve.
“Pavarësisht nëse autorët e veprave të tilla janë shtetas të Malit të Zi apo të huaj, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi të barabartë. Kërkojmë që institucionet ta trajtojnë këtë rast në mënyrë profesionale deri në fund, në mënyrë që autori të marrë dënimin e merituar”, deklaruan nga organizata.













