Trendy

Instagram ndryshon pamjen pas 10 vitesh, përdoruesit tallen me wordmark-un e ri

Para 1 orë

Instagram ka rifreskuar identitetin e tij vizual, rreth një dekadë pas ridizajnimit të madh që ndryshoi pamjen e platformës.

Këtë herë, megjithatë, nuk është ndryshuar ikona e njohur e kamerës. Në fokus është wordmark-u, pra mënyra grafike se si shkruhet emri “Instagram”.

Shefi i Instagramit, Adam Mosseri, e ka përshkruar ndryshimin si një “rifreskim” të nevojshëm pas 10 vitesh. Wordmark-u i ri ruan elemente të stilit të shkruar me dorë, por kombinon ato me forma më moderne dhe të pastra.

Ndryshimi, megjithatë, nuk është pritur njëzëri pozitivisht. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet kritike, sidomos për mënyrën se si duken disa shkronja. Disa përdorues kanë ironizuar se emri i ri duket sikur shkruan “Instagzam”, duke vënë në pikëpyetje edhe lexueshmërinë e tij.

Ridizajnimi i fundit i madh i Instagramit ishte në vitin 2016, kur platforma hoqi ikonën e vjetër, me pamje retro dhe skeuomorfike, dhe prezantoi dizajnin minimalist me gradientin shumëngjyrësh që u bë identifikues i aplikacionit. Në atë kohë, ndryshimi shkaktoi po ashtu reagime të shumta, por me kalimin e viteve identiteti i ri u bë një nga ikonat më të njohura të aplikacioneve.

Instagram thotë se rifreskimi i ri synon të ruajë karakterin e markës, ndërsa ta bëjë atë më modern dhe më të përshtatshëm për mënyrën se si platforma përdoret sot. Krahas wordmark-ut, kompania ka prezantuar edhe ndryshime në sistemin e saj tipografik, përfshirë Instagram Sans, Instagram Pen dhe Instagram Mono.

Por interneti duket se ka një pyetje shumë më të thjeshtë për Instagramin: a duket ende si Instagram?

Për një pjesë të përdoruesve, të paktën në ditët e para pas prezantimit, përgjigjja duket të jetë jo.

Trending