Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar se pasivizimi i adresave të shqiptarëve ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK-në, pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka thënë se synimi i shqiptarëve është sigurimi i mandatit të dytë në parlamentin e Serbisë.
Sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16 mijë e 600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10 mijë e 853 votues.
Kamberi ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka shkuar përgjithësisht në mënyrë të rregullt, ndonëse në fillim të votimit janë evidentuar disa parregullsi të vogla.
Ai ka theksuar se mundësia për sigurimin e mandatit të dytë varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje.
“Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi.
Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se qytetarët e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve, duke ndikuar në rezultatin e shqiptarëve.
“Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, ka thënë Kamberi, duke e cilësuar këtë proces si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.
Në fund, Kamberi ka falënderuar qytetarët për mobilizimin dhe shqiptarët që kanë ardhur nga Kosova për të votuar, duke vlerësuar se përkrahja nga hapësirat shqiptare ka shërbyer si motivim shtesë gjatë ditëve të fundit të fushatës.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












