Vetëm një javë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Kolumbinë, duke shkaktuar 287 viktima dhe mijëra të plagosur, në zonat e prekura ka nisur puna për rikthimin gradual të jetës normale.
Në këtë përpjekje është përfshirë edhe këngëtarja me origjinë kolumbiane, Shakira, e cila udhëtoi drejt provincës Chocó për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
Gjatë vizitës, artistja u ndal në disa prej shkollave të dëmtuara, takoi nxënës dhe mësues dhe premtoi se do të kontribuojë në rindërtimin e të paktën 10 institucioneve arsimore, si edhe në restaurimin e një universiteti teknologjik në zonë.
Shakira theksoi se rikthimi i fëmijëve në shkolla duhet të jetë një nga prioritetet kryesore pas katastrofës.
“Nuk ka një mënyrë për të lehtësuar menjëherë dhimbjen e kaq shumë njerëzve, por ekziston angazhimi për të qëndruar pranë banorëve të Chocó-s dhe për të mos e braktisur këtë rajon”, u shpreh këngëtarja.
Për këtë nismë, Shakira po bashkëpunon me Howard Buffett, djalin e filantropit amerikan Warren Buffett, i cili prej vitesh ka mbështetur projekte në fushën e arsimit në Kolumbi.
Financimi i rindërtimit ka marrë mbështetje edhe nga organizata dhe kompani të tjera. Fondi Global i Arsimit i FIFA Global Citizen dhe Live Nation kanë dhuruar nga 500 mijë dollarë secili, ndërsa Banka e Zhvillimit të Amerikës Latine dhe Karaibeve ka kontribuar me 250 mijë dollarë.
Fondet do të përdoren për riparimin e shkollave të dëmtuara dhe krijimin e kushteve të nevojshme për vijimin e procesit mësimor.
Solidariteti me familjet e prekura është shtrirë edhe te artistë të tjerë të njohur të Amerikës Latine. Marc Anthony, Karol G, Maluma dhe Sebastián Yatra janë përfshirë në koncerte dhe aktivitete bamirësie, me synim mbledhjen e fondeve për komunitetet e goditura nga fatkeqësia.
Për Shakirën, kjo nuk është vetëm një ndihmë financiare, por një përpjekje për t’u dhënë fëmijëve mundësinë të rikthehen sa më shpejt në shkolla dhe të rifillojnë jetën e tyre pas një prej tragjedive më të rënda që ka përjetuar rajoni.











