Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se posti i zëvendëskryeministrit të ngarkuar për qeverisje të mirë do të shfuqizohet, ndërsa kompetencat e këtij resori do të kalojnë drejtpërdrejt nën Kabinetin e Kryeministrit.
Në një intervistë për Telma, në prag të mbledhjes së sontme të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Mickoski deklaroi se koncepti i qeverisjes së mirë mbetet i rëndësishëm, por vlerëson se do të jetë më efikas nëse menaxhohet drejtpërdrejt nga Kabineti i Kryeministrit.
“Në kabinetin tim ka një sekretar të ngarkuar për ndjekjen e zbatimit të programit qeveritar dhe politikave, ndaj vlerësoj se ai mund të jetë përgjegjës edhe për çështjet që lidhen me qeverisjen e mirë. Kështu, Qeveria do të ketë një anëtar më pak në nivel të zëvendëskryeministrave, duke dërguar një mesazh për organizim më racional”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai njoftoi se në mbledhjen e sontme të Komitetit Ekzekutiv do t’i informojë anëtarët edhe për bisedimet lidhur me zgjerimin e koalicionit qeveritar me Partinë Demokratike të Turqve, e cila aktualisht është pjesë e koalicionit Fronti Evropian dhe ka një deputet në Kuvend.
“Pres që bisedimet të përfundojnë me sukses. Po negociojmë për një bashkëpunim që do të zgjasë deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale në vitin 2029. Në këtë mënyrë do të formohet kabineti i ri qeveritar”, tha Mickoski.










