Policia e trafikut deri më 22 nëntor po kryen kontrolle të përforcuara të autobusëve dhe mjeteve të transportit. Aksioni filloi më 16 nëntor dhe është pjesë e aksionit ndërkombëtar „Truck & Bus“ të Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut (ROADPOL).
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, policia kontrollon nëse mjetet janë teknikisht në rregull dhe nëse kanë pajisjet e nevojshme të sigurisë. Vëmendje e veçantë i kushtohet nëse transportuesit përmbushin kushtet ligjore për transportin e organizuar të fëmijëve, përfshirë ekskursionet shkollore dhe udhëtimet e tjera arsimore e rekreative. Kontrollohet edhe nëse shoferët janë në gjendje të drejtojnë mjetet në mënyrë të sigurt.
Paralelisht kontrollohen edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Kontrollët fokusohen në tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, drejtimin nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikotrope, mosvendosjen e rripit të sigurisë dhe transportin e parregullt të pasagjerëve.
Nga MPB apelojnë te shoferët dhe transportuesit që të respektojnë rregullat dhe të kujdesen për rregullsinë e mjeteve. Qëllimi i aksionit është që në kohë të zbulohen dhe sanksionohen shkeljet dhe të parandalohen aksidentet rrugore.
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












