Tensione dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë po regjistrohen pranë Ushtarit të Panjohur, ndërsa turma po tenton të vijojë marshimin drejt Parlamentit.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të efektivëve të policisë, duke tensionuar më tej situatën në këtë zonë të kryeqytetit.
Një numër i madh protestuesish është larguar nga sheshi “Skënderbej” dhe ka marshuar drejt zonës së 9-katësheve, për të kaluar më pas nga Ushtari i Panjohur dhe për të mbërritur pranë godinës së Kuvendit.
![]()
Në kryqëzimin e 9-katësheve, protestuesit kanë vendosur kosha mbeturinash në rrugë, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat e policisë kanë krijuar një kordon për të penguar kalimin e protestuesve. Në protestën e kësaj të shtune vihet re një pjesëmarrje masive, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët.
Përplasjet pranë Ushtarit të Panjohur vijnë pas incidenteve të regjistruara në sheshin “Skënderbej” dhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku gjatë orëve të fundit janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit po përpiqen të avancojnë drejt Parlamentit.

Komentet
Bëhu i pari që komenton.












