Trendy

Rekomandime për temperaturat e larta: Mos prisni të keni etje, pini lëngje

Para 1 orë

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka dhënë masa dhe rekomandime për qytetarët për mbrojtje nga temperaturat e larta, transmeton Portalb.mk.

Nga atje bëjnë thirrje që të shmanget ekspozimi në diell, përfshirë punën dhe aktivitetin fizik në ambiente të hapura, gjatë periudhës nga ora 11:00 deri në 17:00, si dhe të vishen rroba të lehta, me ngjyra të çelëta dhe të gjera, syze dielli dhe kapelë me strehë të gjerë.

“Gjatë ekspozimit në diell përdorni krem mbrojtës me faktor mbrojtës (SPF) 30 ose më të lartë. Konsumoni mjaftueshëm lëngje dhe mos prisni të ndjeni etje për të pirë ujë. Shmangni pijet alkoolike dhe kufizoni konsumimin e pijeve që përmbajnë kafeinë”, thonë nga ISHP.

Më tej rekomandohet të mbahet temperaturë e përshtatshme në shtëpi. Gjatë ditës rekomandohet të përdorni roleta, perde ose mënyra të tjera për mbrojtje nga rrezet e drejtpërdrejta të diellit, ndërsa ambientet ajrosini kur temperatura jashtë është më e ulët.

“Nëse përdorni pajisje për klimatizim, shmangni ftohjen e tepërt të ambientit dhe ndryshimet e menjëhershme të temperaturës. Shmangni përdorimin e sobës, furrës dhe pajisjeve të tjera që e ngrohin më tej shtëpinë gjatë periudhës nga ora 13:00 deri në 17:00”, thuhet në rekomendime.

Gjithashtu rekomandohet freskimi i trupit.

“Freskojeni trupin. Bëni dush me ujë të vakët ose më të freskët, përdorni peshqirë të lagur dhe qëndroni në pjesën më të freskët të shtëpisë ose në një ambient me klimë, nëse është i disponueshëm. Nëse keni sëmundje kronike, respektoni me kujdes të veçantë rekomandimet dhe merrni rregullisht terapinë e përshkruar. Mos e ndryshoni dhe mos e ndërprisni terapinë pa u konsultuar me mjekun”, thonë nga ISHP.

Në rast të ndryshimit ose përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, konsultohuni me mjekun amë.

ISHP rekomandon edhe të mbahen kontakte të rregullta me anëtarët e familjes, miqtë dhe fqinjët, me qëllim që të identifikohen me kohë ndryshimet eventuale në gjendjen shëndetësore dhe të sigurohet ndihmë nëse është e nevojshme.

Në ditët në vijim do të vazhdojë periudha me mot me diell dhe shumë të ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Temperatura gjatë ditës në disa vende do të arrijë deri në 40 gradë Celsius. Temperaturat e larta do të mbahen edhe gjatë orëve të natës.

Trending