Një i mitur 16-vjeçar është privuar nga liria pasi dyshohet se me një send të mprehtë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore një 14-vjeçari në Saraj të Shkupit.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 korrik, rreth orës 15:00, pas një përleshjeje fizike mes dy të miturve para një objekti hotelierik në Saraj. Pas një kohe të shkurtër, dy të miturit janë takuar sërish pranë një objekti tregtar, ku 16-vjeçari dyshohet se ka sulmuar me një send të mprehtë 14-vjeçarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur dhe i ka shkaktuar lëndim me një send të fortë.
Policia ka bërë të ditur se 16-vjeçari është ndaluar në orët e para të ditës së sotme dhe është zhvilluar bisedë zyrtare në prani të prindit dhe avokatit. Pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj tij pritet të paraqitet kallëzim penal.










