Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë hetimore ndaj një të punësuari në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, i dyshuar për veprën penale „Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm“.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari, i cili punonte si shofer i një zyrtari të lartë qeveritar, në periudhën nga 24 korriku deri më 4 shtator të këtij viti i ka kërkuar 1.500 euro një qytetari, me qëllim që të shfrytëzonte ndikimin e tij të pretenduar dhe të ndërmjetësonte te zyrtarët në Qytetin e Shkupit lidhur me punësimin përmes konkursit për pranimin e zjarrfikësve.
Rasti është denoncuar nga qytetari i dëmtuar, pas së cilës Njësia për Korrupsion pranë Byrosë për Siguri Publike, në koordinim me prokurorin publik kompetent, ka ndërmarrë aktivitete për sigurimin e provave.
„Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, ndërmorën veprime për sigurimin e provave. Më 4 shtator 2026, i dyshuari është kapur në flagrancë gjatë dorëzim-pranimit të 500 eurove, si pjesë e shumës së kërkuar prej 1.500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin shënuar“, informojnë nga Prokuroria.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale, prokurori publik ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit. Gjykatësi i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin dhe të dyshuarit i ka caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ministria e Punëve të Brendshme më herët gjatë ditës ka informuar se, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar, D.Ç., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, është kapur duke pranuar para të shënuara paraprakisht, pas së cilës është privuar nga liria.
Nga Prokuroria theksojnë se raportimi në kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
„Raportimi i kërkesës apo ofertës për ryshfet dhe ndikim të kundërligjshëm mundëson reagim në kohë, sigurimin e provave dhe veprim efikas nga organet kompetente. Prokuroria Publike i inkurajon qytetarët që t’i raportojnë raste të tilla dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente, ndërsa mbetet e përkushtuar për veprim të vendosur ndaj të gjitha informacioneve për sjellje korruptive, për të cilat ekzistojnë baza për ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale“, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.











