Serbia ndodhet në “errësirë” sa i përket politikës që do të ndjekë ndaj Kosovës pas fitores së listës studentore në zgjedhjet parlamentare.
Kështu vlerëson politikani serb Nenad Çanak, ish-deputet dhe bashkëthemelues i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës.
Çanak thotë se, pavarësisht ndryshimit të madh politik në Serbi, ende nuk është e qartë nëse qeveria e ardhshme do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Sipas tij, lëvizja studentore, e cila arriti ta mposhtë pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhje, është ndërtuar kryesisht mbi kundërshtimin ndaj regjimit të deritanishëm, por pa një program të qartë politik për çështjet kryesore.
Lexo edheVuçiq e pranon humbjen, Lista Studentore pritet të fitojë shumicën në Parlamentin e Serbisë“Lista studentore është krijuar mbi bazën e rezistencës kundër regjimit klerofashist të Aleksandar Vuçiqit, por jo mbi bazën e ndonjë programi konkret politik”, deklaron Çanak.
Ai rikujton se protestat studentore nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
Kërkesat fillestare për përgjegjësi institucionale, sipas tij, gradualisht u shndërruan në një lëvizje politike që solli ndryshimin e shumicës parlamentare.
Megjithatë, Çanak thotë se mungesa e një programi të qartë e bën të vështirë parashikimin e politikave që do të ndjekë qeveria e ardhshme, veçanërisht në raport me Kosovën.
Në këtë kontekst, politikani serb e lidh ndryshimin e pushtetit në Beograd edhe me mundësinë e vendosjes para drejtësisë të personave përgjegjës për sulmin në Banjskë.
“Sepse, nëse institucionet e bëjnë punën e tyre, atëherë, për shembull, personat përgjegjës për sulmin në Banjskë dhe vdekjen e katër personave duhet të përgjigjen para gjykatës. Dhe një gjë e tillë as që mund të imagjinohej se do të ndodhte përderisa në pushtet ishte Partia Përparimtare Serbe”, thotë Çanak për Radio Dukagjinin.
Megjithatë, ai shprehet i rezervuar për drejtimin që do të marrë Serbia, duke theksuar se ende nuk dihet kush do ta udhëheqë qeverinë e re dhe cili do të jetë programi i saj.
“Na presin zgjedhjet presidenciale. Lista studentore sigurisht që do ta ketë kandidatin e saj. Pas kësaj vjen formimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë. Vetëm kur ta shohim Qeverinë e re, ndoshta do të mund të kuptojmë diçka nga paraqitja e programit të kryeministrit, për të cilin ende nuk dihet se kush mund të jetë”, deklaron ai.
“Serbia ndodhet në errësirë sa i përket kësaj çështjeje. Me Vuçiqin ishte e qartë se nuk mund të vazhdohej më tutje. Mirëpo, tani, me shumicën e re parlamentare, e cila do të shndërrohet në një qeveri të re, ende nuk dihet se në cilin drejtim do të shkojë Serbia”, shton Çanak.
Në intervistën për Radio Dukagjinin, politikani serb flet edhe për ndikimin që ndryshimet politike në Beograd mund të kenë mbi Listën Serbe në Kosovë.
I pyetur nëse kjo parti do të dobësohet pas paralajmërimeve të fituesve të zgjedhjeve në Serbi se nuk do të bashkëpunojnë me të, Çanak shprehet i bindur se ndikimi i saj do të bjerë.
“Është plotësisht e sigurt se do të dobësohet”, deklaron ai.
Sipas Çanakut, Lista Serbe ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me politikën e Aleksandar Vuçiqit dhe një marrëdhënie e tillë nuk pritet të vazhdojë me autoritetet e reja.
“E njëjta gjë vlen edhe për Listën Serbe, e cila, natyrisht, ishte një shtojcë e politikës së Vuçiqit. Mendoj se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në periudhën e ardhshme”, thotë Çanak.
Ai vlerëson se ndryshimet politike në Serbi mund të ndikojnë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me udhëheqjen e Milorad Dodikut në Republikën Srpska, duke kujtuar mbështetjen e ndërsjellë politike mes Dodikut dhe Vuçiqit.
Sa i përket Kosovës, Çanak konsideron se dobësimi i mundshëm i Listës Serbe do ta vendosë komunitetin serb përballë nevojës për përfaqësim të ri politik.
“Mendoj se, në këtë kuptim, komuniteti etnik serb në Kosovë do të duhet të krijojë përfaqësues të rinj politikë, të cilët unë për momentin nuk i shoh”, përfundon Çanak.
Më shumë për këtë
Çfarë politike të jashtme propozon Lista Studentore në Serbi?Rajon · 1 javë më parë
BE-ja i ofron Serbisë bashkëpunim më të ngushtë pas fitores së Listës StudentoreRajon · 1 javë më parë
Serbia drejt zgjedhjeve vendimtare, studentët sfidojnë pushtetin e VuçiçitRajon · 2 javë më parë
Komentet
Bëhu i pari që komenton.












